Nis numërimi i parave të Delijorgjit

TIRANË - Vetëm dy muaj pas ngjarjes tragjike të Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën me qindra të tjerë, grupi hetimor i çështjes ka mundur të hedhë një hap të rëndësishëm drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes së rëndë. Pas kërkimeve intensive për një grup ekspertësh që do të përllogarisin sasinë e saktë të municioneve dhe të gjithë transaksionet financiare që janë kryer gjatë funksionimit të Gërdecit, më në fund prokuroria arriti të bindë disa ekspertë të bashkëpunojnë në këtë çështje. Pas refuzimeve të vazhdueshme të ekspertëve, ditët e fundit një grup i përbërë nga ekspertë kontabël dhe ekspertë ushtarakë kanë nisur punën bashkë me grupin hetimor, duke u përqendruar në dy pika kryesore, që sipas prokurorisë përbëjnë edhe boshtin e gjithë çështjes. Burime të rezervuara pranë organit qendror të akuzës bëjnë me dije, se grupi i ekspertëve kontabël dhe ai ushtarak pritet t’i japin një shtysë të re hetimit, pasi nga rezultatet e tyre pritet të zbardhen edhe një sërë çështjes, që sipas prokurorisë janë ende në kuadrin e dyshimeve. Sipas të njëjtave burime, mësohet se ekspertët kontabël janë përqendruar kryesisht mbi transaksionet financiare që janë kryer mes ndërmarrjes “Meico” dhe kompanisë “SAC”, si dhe mes “SAC” dhe “Albademil”, edhe pse kjo kompani ishte themeluar mbi bazën e ortakërisë mes Mihal Delijorgjit dhe Patrik Henrit III. Një pikë tjetër e rëndësishme, që sipas prokurorisë pritet t’i nënshtrohet ekspertizës, janë edhe çmimet e shitjes së municioneve. Në përcaktimin e çmimeve për municionet e shitura për demontim apo edhe ato të shitura për qëllime ushtarake, ekspertët do të mbajnë parasysh çmimet e përdorura në rastet e mëparshme të demontimeve, si në rastin e Poliçanit apo Mjekëzit, si dhe ato pak raste kur janë shitur fishekë për qëllime ushtarake. Siç shpjegojnë burime pranë prokurorisë, ekspertiza do të mbështetet në krahasimin e të dhënave për shitjen e municioneve për demontim në Gërdec, tabelat e së cilave janë sekuestruar tashmë nga organi i akuzës, dhe rastet e mëparshme për të cilat prokuroria ka mbledhur të dhëna të mjaftueshme. Ndërsa grupi i ekspertëve ushtarakë, që është në ndihmë të grupit hetimor, do të përqendrohet në përllogaritjen e saktë të sasisë së municioneve që shkuan drejt Gërdecit. Një përfundim i saktë për këtë çështje, sipas prokurorisë, do të sqaronte përfundimisht dyshimin e ngritur, se nga punishtja e Delijorgjit mund të jenë shitur municione për qëllime ushtarake. Këto të dhëna pritet të nxirren nga krahasimi mes sasë së municioneve që ndodheshin në depo gjatë momentit të shpërthimit, sasisë së barutit dhe sasisë së skrapit që ka dalë nga Gërdeci. Në bazë të të dhënave të sakta mbi sasinë e barutit dhe municioneve që ndodheshin në Gërdec, të siguruara nga ekspertët e ATF-së, si dhe nga manualet ushtarake, pritet që ekspertët të arrijnë në një përfundim të saktë të sasisë së municioneve që ka hyrë në punishte dhe sasisë së skrapit që ka dalë.