Mbërrin traileri i shumepritur për "Jobs"

Ndjekësit e “Apple” me siguri datën 16 Gusht e kanë fiksuar mirë në iCalendar-in e tyre. Pikërisht në këtë datë do të kemi mundësi të shohim në ekranin e madh filmin biografik për ikonën e Apple, bashkëthemeluesin e kompanisë, Steve Jobs, ku interpretojnë Ashton Kutcher si vetë Jobs dhe Josh Gad si Steve Wozniak, dy krijuesit e kompjuterit të parë Apple e më vonë themeluesit e kompanisë me të njëjtin emër.
Me regji të Joshua Michael Stern, “Jobs” ndjek figurën e Jobs që nga ditët në kolegj deri tek krijimi, rënia dhe eventualisht ringritja e brand-it Apple. Filmi u shfaq në Festivalin e Sundance nga ku doli me kritika të përziera dhe studioja Open Roads, që ka mundësuar filmin, ka vendosur të shtyjë datën e premierës së tij.
Fillimisht filmi ishte planifikuar të shfaqej më 19 Prill, datë që shënon dhe 37 vjetorin e krijimit të kompanisë Apple Computer. Tashmë pas përcaktimit të premierës, ja ku na vjen trailer-i i parë nga i cili mund të krijojmë një ide mbi filmin e shumëpritur.
Me anë të “Jobs” do të kemi mundësinë të ndjekim Steve Jobs (Ashton Kutcher) nga entuziazmi i rinisë së tij, ditët e tij të errëta, triumfet e ndritura të tij, fuqinë e pasionit të tij dhe dëshirën e tij të pavdekshme për të ndryshuar atë që ne nuk e mendonim të mundur.
I errët, i sinqertë dhe jo kompromentues, “Jobs” na njeh me thellësinë e personazhit të Jobs duke na zbuluar me motivet e tij, dështimet e tij dhe sukseset e tij./Indeksonline/