E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 2.5 kg heroinë, arrestohen tre shtetas

24/08/2010 Operacioni, agjentët dyshojnë për kalim transit. Dyshime dhe për persona të tjerë të përfshirë

LIBRAZHD- Tre të arrestuar dhe kapja e 2.5 kg heroinë ka qenë rezultati i operacionit të koduar “Uraka” nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit. Rreth orës 18.30 pas grumbullimit të informacioneve të detajuara agjentët e Sektorit kundër Trafiqeve e Narkotikëve në bashkëpunim me Policinë Rrugore dhe të drejtuar nga drejtues të policisë kanë arritur të bllokojnë sasinë më të madhe të drogës të kapur gjatë këtij viti në territorin e qarkut të Elbasanit.

Operacioni

Operacioni është kryer në fshatin Urakë përgjatë rrugës nacionale ku edhe kishte informacion për lëvizjen e mjetit tip Volzvagen me targa të Pogradecit ku edhe ndodhej droga. Menjëherë pas ndalesës, agjentët kanë neutralizuar tre shtetasit dhe i kanë kryer një kontroll të imtësishëm makinës. Sasia e drogës e mbështjellë me plastikë ishte fshehur në mjet dhe vetëm pasi kanë gjetur sasinë e drogës, agjentët kanë arrestuar në flagrancë tre të rinjtë. Në prangat e policisë u arrestuan shtetasit Santiliano Duci 24 vjeç me banim në Voskopojë të Korçës, Markel Prendo lindur e banues në Pogradec dhe Krenar Hoxha lindur e banues në Starovë të Pogradecit. Burime zyrtare mbi operacionin theksojnë se nëpërmjet metodave speciale të hetimit është arritur në zbulimin e këtij rrjeti të trafikut të drogës që përdorte Elbasanin si transit. Sipas policisë mjeti Volsvagen ishte vënë në shënjestër dhe ndalimi e kontrolli i tij është bërë në konspiracion të plotë deri në realizimin e plotë të operacionit. Në afërsi të fshatit Urakë është bërë ndalesa nga agjentët rrugorë dhe më pas kanë ndërhyrë specialistët e antidrogës duke kontrolluar mjetin me targa të PG 6419B, i cili ishte në pronësi të shtetasit nga qyteti i Pogradecit. Drejtori i policisë Sajmir Muça tha se operacioni është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë dhe se është arritur në sukses nëpërmjet hetimit dhe zbulimit të këtij trafiku. Ndërkohë që po hetohet destinacioni i sasisë së drogës, pluhuri i kuqërremë është duke u ekzaminuar në laborator, ndërsa mjeti dhe celularët janë bllokuar në cilësinë e provës material. Dyshohet se ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë në këtë rrjet, të cilët për momentin nuk bëhen të ditur për shkak të hetimeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›