E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbështetja e Australisë s’do të mungojë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Australisë në Vjenë, jorezident për Kosovën, zotëri Michael Potts, i cili ka thënë se Australia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Kosovës për njohjen dhe konsolidimin e mëtejshëm ndërkombëtar të shtetit të saj.

Presidentja Jahjaga ka thënë se Australia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë ndihmë Kosovës në procesin e shtetndërtimit dhe i cilësoi si shumë të mira marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Ajo ka thënë se përkrahja dhe ndihma e vazhdueshme e Australisë për Kosovën është e nevojshme në veçanti në fushën e ekonomisë, përmes investimeve.

Presidentja Jahjaga ka thënë gjithashtu se Kosova, shtet i pavarur dhe sovran, synon anëtarësimin në strukturat euroatlantike dhe është e përkushtuar për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore më të gjitha vendet e rajonit dhe se, në këtë drejtim, Kosova po luan një rol të rëndësishëm si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan.

“Ambasadori Michael Potts ka pohuar se Kosova ka arritur një progres të rëndësishëm gjatë viteve të fundit dhe ka vlerësuar se ajo është në rrugë të mirë drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në një komunikatë të presidencës.

Z.Potts ka theksuar që Australia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Kosovës për njohjen dhe konsolidimin e mëtejshëm ndërkombëtar të shtetit të saj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›