Mbështetja për bujqësinë, Krifca: Kemi ndarë mbi 33 mijë karta për naftë falas

Mbi 33 mijë fermerë janë pajisur me kartën e naftës deri në datën 31 korrik. Kështu bëri me dije ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, teksa theksoi se Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) vazhdon mbështetjen e fermerëve me naftë të pataksuar.
“Kkemi rritje të mëtejshme të eksporteve bujqësore, deri në datën 31 korrik. 33 462 fermerë janë pajisur me kartën e naftës për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, një proces që vijon paralelisht me furnizimin e tyre me naftë pa taksa nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2023,” tha Krifca.
Përmes kësaj mase, fermerët përfitojnë ulje të kostove të punimeve. Ministrja informoi se sasia e naftës së përcaktuar mund të tërhiqet deri më 31 dhjetor 2023.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, krahasuar me vitin 2021, këtë vit numri i aplikantëve në skemën e naftës pa taksa për bujqësinë është më shumë se dyfish nga sa ishte një vit më parë.
“Ne kemi përgjegjësinë t’i përgjigjemi me profesionalizëm, korrektesë dhe shpejtësi maksimale për të zbatuar të gjithë procedurat dhe lëvruar fondet sa më parë tek fermerët”, theksoi Krifca.
/rtsh.al/