Mbështetje për marrëveshjen

Përfaqësues të SHBA-së dhe vendeve europiane nuk kanë vonuar të përshëndesin arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Thuajse të gjithë njëzëri kanë thënë se kjo marrëveshje është në të mirën e Kosovës dhe Serbisë.
Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, ka thënë se marrëveshja e re është në përputhje me pavarësinë e Kosovës.
“Këto marrëveshje janë në përputhje me pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës”, thuhet në deklaratën e Clinton.
“Kosova dhe Serbia kanë bërë edhe një hap të rëndësishëm drejt ardhmërisë së tyre të përbashkët europiane duke arritur marrëveshjet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja lidhur me përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale dhe një protokoll për Menaxhimin e Integruar të Kufirit”, thuhet më tej në deklaratën e Sekretares amerikane të Shtetit.
Ajo ka thënë se marrëveshjet e fundit sigurojnë të ardhme për dy shtetet.
“Sot, Kosova dhe Serbia kanë bërë edhe një hap të rëndësishëm drejt ardhmërisë së tyre të përbashkët europiane duke arritur marrëveshjet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja lidhur me përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale dhe një protokoll për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Dëshiroj të falënderoj Bashkimin Europian për lehtësimin e këtyre diskutimeve dhe që ka ndihmuar këto dy shtete që të realizojnë një të ardhme më të ndritur. Të dyja shtetet mund jenë të sigurta për një të ardhme paqësore dhe prosperuese si pjesë e një Europe të tërë, të lirë dhe në paqe vetëm përmes dialogut dhe besimit të rritur”, ka thënë Clinton në deklaratën e saj.
Edhe Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, ka mirëpritur arritjen e marrëveshjeve rreth bashkëpunimit rajonal dhe implementimit të menaxhimit të integruar të kufijve, si edhe ka përshëndetur propozimin për të nisur një studim fizibiliteti për një marrëveshje Stabilizim-Asociimi ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Ai e ka uruar kryeministrin Hashim Thaçi dhe presidentin serb, Boris Tadic, për, siç ka thënë, lënien anash të sfidave të të kaluarës dhe që kanë treguar kurajë për arritjen e këtyre marrëveshjeve, “të cilat janë vendimtare për të siguruar që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë përparimin drejt anëtarësimit në të ardhmen në Bashkimin Evropian”.
Ai ka kërkuar nga të dy vendet që të jenë të angazhuara në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, që, sipas tij, do ta promovojë bashkëpunimin, do të përmirësojë jetën e qytetarëve dhe do të forcojë rrugëtimin drejt një të ardhme më të qëndrueshme dhe prosperuese.
Tre ministrat e jashtëm, atij të Austrisë, Michael Spindelegger, atij Francez, Alain Juppe dhe të Italisë, Guilio Terzi kanë bërë thirrje që pas përfundimit të studimit të fizibilitetit, të nënshkruhet marrëveshja për Stabilizim Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.
“Ashtu siç dëshirojmë të kemi Serbinë në BE, të njëjtën perspektivë të qartë evropiane duhet t’i japim edhe Kosovës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të zëvendeskancelarit austriak, Michael Spidelegger, ministrit të Punëve të jashtme të Francës, Alain Juppe dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Guilio Terzi.
“Me letrën e përbashkët timen me Alain Juppe dhe Guilio Terzi kemi përpara një sinjale të fuqishëm inkurajimi në Beograd, që të vlerësohet dhe të shpërblehet sjellja konstruktive. Nëpërmjet marrëveshjes së sotme, është hapur rruga që Serbia të merr statusit e kandidatit tëBE-së; duke bërë një hap të rëndësishëm drejt Bashkimit Evropian.
Përparimi domethënës dëshmon, që të dyja palët janë përpjekur për normalizimin e marrëdhënieve dhe vazhdimisht afrohen njëri-tjetrin”, thuhet në letrën e përbashkët të Spindelegger, Juppe dhe Terzi