Thaçit: Fusnota forcon shtetin
Pavarësisht kundërshtimeve të vendorëve, Kryeministri Hashim Thaçi e ka cilësuar marrëveshjen e arritur të premten mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel si më të rëndësishmen pas asaj të Rambouillet dhe Pakos së Ahtisaarit. Për dallim prej Rambouillet (shkurt 1998) dhe Propozimit të ish-Presidentit finlandez (2007), ku skena politike ka qenë e bashkuar, tash Thaçin po e kundërshtojnë të gjitha partitë politike opozitare.
Tek ka shpjeguar marrëveshjen e re me Serbinë, ku Kosova do të përfaqësohet në forumet rajonale me fusnotë, Kryeministri Thaçi ka thënë se është bërë “më e mira e mundshme”.
Sipas tij, me fusnotën, ku përmendet Rezoluta 1244 dhe Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë, Kosova ec drejt integrimit në BE.
Megjithëkëtë, Kryeministri ka thënë se është i bindur se marrëveshja e re do ta fuqizojë shteti.
“Unë jam i bindur, dhe koha do ta vërtetojë, që vendimi i sotëm do të fuqizojë subjektivitetin tonë ndërkombëtar, do ta fuqizojë shtetin tonë dhe të ardhmen tonë”, ka vlerësuar ai.
Por, Shefi i Qeverisë ka thënë të jetë i vetëdijshëm se marrëveshja për përfaqësimin rajonal me fusnotë nuk do të duatrorikitet nga të gjithë, duke përmendur se një pajtim i tillë me Serbinë do të jetë i përkohshëm.
“Unë jam shumë i vetëdijshëm që kjo fusnotë nuk është ideale, por është më e pranueshmja për momentin politik që po kalon shteti i Kosovës, rajoni dhe rrjedhat ndërkombëtare. Por, e theksoj se kjo është formulë e përkohshme. Unë jam shumë i vetëdijshëm që vendimi i Qeverisë, që nuk është shumë populist, por jam i bindur se është në të mirën e vendit”, ka thënë Thaçi në një konferencë për media menjëherë pas arritjes së marrëveshjes.
Shefi i Qeverisë nuk është përgjigjur nëse marrëveshjen e fundit do ta dërgojë për aprovim në Kuvend, pasi një veprim i tillë i delegacionit të Kosovës i ka tejkaluar kornizat e dialogut teknikë mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ai ka thënë vetëm se me marrëveshjen e re, Kosova do të përfaqësohet në nismat rajonale nga njerëzit e zgjedhur e jo nga UNMIK’u.
“Nuk do të jetë UNMIK-u, por do të kemi fusnotë të balancuar që e prezanton opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Deklaratën e 17 shkurtit, deklaratën e Kosovës së pavarur dhe sovrane të vitit 2008. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është produkt i shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran”, ka deklaruar ai.
Kryeministri Thaçi, deklarata e të cilit është transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni publik, disa herë iu ka drejtuar qytetarëve, duke thënë se ka marrë një “vendim serioz dhe të vështirë, i cili është mbi interesat ditore e partiake”.
Ai nuk ka dashur të komentojë kualifikimet e Ambasadorit Christopher Dell për opozitën, por ka folur vetëm për marrëveshjen e re me Serbinë.
“Prandaj, lirisht mund të them se përderisa marrëveshja e Rambouillet e solli lirinë, derisa Pakoja e Ahtisaarit e solli pavarësinë, marrëveshja e sotme i sjell shtetit të Kosovës integrimet europiane dhe e bënë Kosovën europiane. Unë nuk po flas këtu vetëm për liberalizimin e vizave apo marrëveshjen tregtare, por për një proces të ri, procesin e stabilizim asocimit që është hapi i parë zyrtar në procesin e anëtarësimit të shtetit të Kosovës dhe në familjen e madhe europiane”, ka thënë Thaçi.