Marrëveshja zhbllokuese

Pas dy ditë e gjysmë bisedimesh në Bruksel, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur të pajtohen rreth mënyrës së përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale.
Bashkimi Europian ka bërë të ditur se dy palët kanë konkluduar edhe protokollin teknik për zbatimin e marrëveshjes për pikëkalimet (IBM).
Sipas një njoftimi të BE’së, delegacionet kanë konfirmuar përkushtimin e tyre për përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal si një vlerë fondamentale e Unionit.
“Marrëveshja do të lejojë Kosovën të marrë pjesë dhe të nënshkruajë marrëveshje të reja në mënyrë vetanake dhe të flasë për vetveten në të gjitha takimet rajonale”, thuhet në njoftim.
BE ka treguar se si deri më tani në emër të Kosovës ka nënshkruar UNMIK’u.
E tash e tutje, Kosova në nismat rajonale pritet të përfaqësohet në një mënyrë mjaft specifike e që ka nxitur edhe debat të nxehtë ditëve të fundit. Pra, vendi nuk do të përfaqësohet si Republikë, por vetëm si Kosovo me një asterisk (*), me Rezolutën 1244 dhe Opinionin e GJND’së për Deklaratën e Pavarësisë.
“Kosovo* do të jetë denominimi i vetëm që do të përdoret, ndërsa fusnota që do të aplikohet në asterisk do lexojë : “ Ky formulim nuk paragjykon pozicionet rreth statusit dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të KSKB’së dhe Opinionin e GJND’së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.
Ky formulim është edhe kompromisi që kanë bërë Kosova dhe Serbia për përfaqësimin rajonal. Pala kosovare ka pranuar Rezolutën 1244, e cila edhe pse konsideron e tejkaluar, ka një konotacion negativ për kosovarët, derisa Serbia ka pranuar opinionin e GJND’së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, që për kosovarët përbën dokument pozitiv dhe një nga bazat me të cilin kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës.
Sido që të jetë, kritikët në Kosovë kanë konsideruar se Deklarata e Pavarësisë është përmendur vetëm në kontekst të Opinionit të GJND’së, të cilën e kanë minimizuar duke thënë se është vetëm një opinion këshillëdhënës.
BE ka bërë të ditur se Prishtina dhe Beogradi janë dakorduar për zbatimin e marrëveshjes IBM, duke thënë se një gjë e tillë konkluzionet e arritura në dhjetorin e kaluar i shndërron në marrëveshje operacionale.
Kjo, sipas Brukselit, u mundëson palëve të punojnë për çështjet praktike siç janë buxheti, dizajni dhe lokacioni i objekteve.
Po ashtu gjatë dy ditëve është diskutuar edhe rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët.
Aty thuhet se palët janë pajtuar të punojnë shpejt, derisa thuhet se një grup punues javën e ardhshme do të takohet për çështjen e regjistrit civil me qëllimin të përshpejtohet zbatimi në këtë fushë.
Ashton dhe Fule: “Dhurata” për Kosovën dhe Serbinë
E pajtimi që ka dhënë pala kosovare rreth marrëveshjes për përfaqësimin rajonal, ka rezultuar me “dhurata” që pritet të konkretizohen më vonë për Kosovën.
Së paku kështu duket nga deklarata e përbashkët që është publikuar menjëherë pas arritjes së marrëveshjes nga dy zyrtarë të BE’së, Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule.
Ata e kanë quajtur hap të madh marrëveshjen derisa kanë përmendur beneficionet që do t’i gëzojë Kosova si shkëmbim.
“Kosova kështu do të ndjekë të njëjtën rrugë europiane sikur i gjithë Ballkani Perëndimor në vijë me perspektivën e saj europiane. Në këtë aspekt, Komisioni propozon fillimin e studimit të fizibilitetit për një Marrëveshje të Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE’së”, thuhet në deklaratën e zyrtarëve europianë.
Këta zyrtarë të lartë europianë kanë bërë të ditur se Kosova ka fituar të drejtën për t’u përfaqësuar vetë në takime rajonale si dhe për të bërë progres drejt marrëdhënieve kontraktuale me BE’ë.
E kur është fjala për Serbinë, thonë se një gjë e tillë do t’i ndihmojë rreth kandidaturës për anëtarësim në BE.
“Sa i përket Kosovës, kjo është e rëndësishme pasi që e bën Kosovën pjesëmarrëse të plotë me përfaqësim vetanak në takimet dhe ngjarjet rajonale dhe kjo do t’i mundësojë progres të mëtejmë drejt marrëdhënieve kontraktuale me BE’në”, kanë thënë Ashton dhe Fule.
“Sa i përket Serbisë , këto marrëveshje mbi bashkëpunimin rajonal dhe IBM mirëpriten posaçërisht duke parasysh qëllimet në Këshill javën e ardhshme sa i përket statusit të kandidatit për Serbinë”, kanë shtuar ata.
Më pas ata kanë bërë të ditur se të gjitha shtetet anëtare të BE’së kanë përkrahur dialogun Prishtinë –Beograd për t’i përkrahur palët në rrugën europiane.
Interpretimet e marrëveshjeve
Ndërmjetësi Robert Cooper, duke folur për marrëveshjen e bashkëpunimit rajonal, ka thënë se ajo që bëhet e qartë është se Kosova flet për Kosovën dhe se Qeveria e Kosovës merr pjesë si anëtare e plotë në të gjitha organizatat , pa dikë tjetër duke folur për veten.
“ Ata do t’i ushtrojnë të gjitha të drejtat e tyre”, ka thënë ai.
“Në këtë emër, Kosova do të nënshkruajë marrëveshje rajonale . Ajo që ka rëndësi nuk është emri , nuk është fusnota. Ajo që ka rëndësi është se Kosova po përfaqëson veten, ata po ulen përreth tryezës”, ka shtuar Cooper.
Ndërmjetësi i BE’së ka theksuar se fusnota përmend dy aspekte të ligjit ndërkombëtar të rëndësishme për rastin e Kosovës, që njëra është Rezoluta 1244 e KSKB dhe tjetra opinioni i GJND’së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës
“Palët e shikojnë këtë marrëveshje në mënyra të ndryshme. Rezoluta 1244 ishte një rezolutë që në fillim instaloi administratën e UNMIK’ut në Kosovë, por po ashtu i ofron administratës së UNMIK’ut bazë për të ecur drejt një zgjidhjeje . Në pikëpamjen e Qeverisë së Kosovës, ky tranzicion ka ndodhur nën Rezolutën 1244 sepse Ahtisaari ishte emëruar nga Sekretari i Përgjithshëm nën Rezolutën 1244 . Sipas Qeverisë së Serbisë, ky tranzicion ende nuk ka ndodhur . Por, që të dyja ekzistojnë edhe rezoluta edhe opinioni i GJND’së “, ka thënë ai.
Për Cooper është e rëndësishme një gjë tjetër.
“ Por, ajo që nënkupton rezoluta në të vërtetë është se emri i Kosovës është në harmoni të plotë me të drejtën ndërkombëtare, është i pranueshëm për të dyja palët pa paragjykuar statusin”, ka shtuar ai.
Cooper ka folur edhe për marrëveshjen IBM, duke thënë se edhe kjo marrëveshje po ashtu do të funksionojë duke mos paragjykuar statusin , derisa ka shfaqur shpresën që doganierët do të bashkëpunojnë mirë edhe me ndihmën e EULEX’’it që do të ndihmojë në çështjen e objekteve dhe çështjeve tjera.
Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se me arritjen e marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal, Kosova do të përfaqësohet si të gjitha shtetet e rajonit.
“Nga sot, Kosova do të përfaqësohet njësoj si të gjitha shtetet e rajonit dhe ajo çfarë është më e rëndësishme është se Kosova do të mund të nënshkruajë vetë marrëveshje. Nuk ka më nevojë për UNMIK-un”, ka thënë Tahiri në Bruksel.
E pyetur të komentojë faktin e mospërfshirjes së kërkesës së Prishtinës, përkatësisht Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në fusnotën për prezantimin rajonal, Tahiri ka theksuar se një gjë e tillë ndodhet në mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Derisa ka bërë një deklaratë rreth fusnotës, që është komentuar shumë gjatë ditës së premte.
“Ajo fusnotë është si fjollë bore, do të shkrihet me kalimin e dimrit”, ka shtuar Tahiri.
E shefi i ekipit negociator të Beogradit, Borislav Stefanovic ka thënë se marrëveshja që u arrit me Prishtinën në Bruksel është në përputhje të plotë me interesat kombëtare të Serbisë."Kërkesa e Prishtinës, që në fusnotë të përfshihet një referim i veçantë për shpalljen e pavarësisë, nuk është plotësuar", ka thënë Stefanovic. Ai theksoi se përmbajtja e fusnotës është në përputhje të plotë me interesat kombëtare serbe, sikurse edhe me Rezolutën 1244 dhe Kushtetutën e Serbisë.