E Martë, 3 Nëntor 2026

Mbështetje speciale të gjithë fëmijëve me aftësi të veçanta dhe spektrin autik

TIRANË, 29 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot, gjatë prezantimit të programit qeverisës Shqipëria 2030, se që nga marrja e mandatit, mbrojtja sociale dhe buxheti i ndihmës ekonomike është trefishuar, ndërsa është katërfishuar buxheti për shërbimet e përkujdesjes sociale.

“Kur ne e morëm detyrën vetëm qyteteve të mëdha ofronin programet mbrojtëse sociale, më shumë se gjysma e bashkive nuk kishin program fare në ndihmë të komunitetit. Sot, programet sociale janë në të gjithë territorin. Ne kemi financuar 84 shërbime të reja sociale nëpërmjet Fondit Social dhe përfituesit nuk janë pak, janë afro 50 mijë njerëz dhe sot fondi social është një mekanizëm modern dhe transformues që ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë pa dyshim. Mes shërbimeve sociale janë dhe ato për personat dhe fëmijët me aftësi të ndryshme, për të moshuarit, viktimat e dhunës, e kështu me radhë, dhe ajo që duam të bëjmë është ta zgjerojmë rrjetin e shërbimeve. Kemi dhe 40 shërbime të reja sipas nevojave në territor. Do të rrisim aksesin në programin aktiv të punësimit, duke krijuar 20 ndërmarrje të reja sociale, ku do të punësojmë dhe mbështesim kategoritë në nevojë”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se qeveria socialiste ka dhënë mbështetje speciale, falë edhe Këshillimit Kombëtar, për nënat kryefamiljare me tre fëmijë, por duhet që edhe deri në mandatin e katërt t’i japim një mbështetje speciale të gjithë fëmijëve me aftësi të veçanta. “Duke filluar nga fëmijët që vuajnë nga autizmi dhe të gjithë të tjerët që janë në programet e mbështetjes, por që duke marrë parasysh, se janë fëmijë, duke marrë parasysh se çfarë do të thotë për familjen, meritojnë një mbështetje ekstra, jo thjesht si kategori e përgjithshme personash me aftësi të kufizuar dhe kjo mbështetje do të jetë një mbështetje që do të fillojnë ta marrim qysh janarin e vitit të ardhshëm”, u shpreh Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›