Berisha: Shqipëria me prokurori që arreston pa prova liderët e opozitës

TIRANË, 29 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij të mbajtur sot në konferencën ndërkombëtare me bordin ekzekutiv të Forumit të Grave në EPP, me temë: “Fuqia e Grave në Politikë”, u ndal serish te puna e SPAK-ut.
Berisha theksoi se “Shqipëria ka një prokurori, e cila lavdërohet në mënyrë të paimagjinueshme gjerësisht. Por kjo prokurori speciale është një prokurori, e cila nuk prek asnjë aferë që shkon tek narkodiktatori”.
Sipas tij, kjo prokurori arreston, burgos pa prova, vetëm si persona nën hetim liderët e tri partive kryesore opozitare, merr mandate deputetësh, merr mandate të zgjedhurish vendorë nga opozita.
“Sot kemi deputetë në burg, kemi të tjerë drejtues në arrest shtëpie. Në rast se në vitet 1990-1992, siç e theksoi e nderuara Doris Pack, në Europë kishte një interes real për liritë dhe të drejtat themelore, organizoheshin konferenca, flitej në mënyrë të vazhdueshme, sot nuk flitet shumë për liritë dhe të drejtat themelore të një kombi që vuan një narkodiktaturë”, vijoi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha e cilësoi një ngjarje të madhe për kombin kurorëzimin e udhëheqësit të Kishës Ortodokse, Joan Pelushi ku dhe lajmëroi që do të merrte pjesë.
/r.e/