Mbetën të bllokuara te Shpella e Pëllumbasit, policia shpëton dy turiste holandeze

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Policia e Tiranës në bashkëpunim me policinë Alpine të Forcës Kombëtare të Sigurisë, shpëtuan dy turiste holandeze të cilat kishin mbetur të bllokuara në zonën e “Shpellës së Pëllumbasit”, pasi njëra prej tyre kishte dëmtuar këmbën si pasojë e një rrëzimi.
Policia njoftoi se pas lokalizimit në një terren të vështirë, bënë të mundur nxjerrjen e dy turisteve, të cilat hasën vështirësi gjatë eksplorimit të natyrës në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbasit”, në fshatin Pëllumbas.
Punonjësit e Policisë i dhanë ndihmën e parë turistes së dëmtuar dhe në bashkëpunim me shërbimin e ambulancës, e transportuan në Spitalin e Traumës për trajtim mjekësor, ndërsa turistja tjetër u shoqërua në një zonë të sigurt.
Policia e Shtetit theksoi se mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe turistëve, duke i ftuar ata që për çdo problematikë apo situatë emergjente të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
/m.q/j.p/r.e/