E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-punonjësit e NB, sërish protesta për tokat. Nuk lejojnë administratën të hyjë në bashki

Rreth 100 banorë të Orikumit kanë bllokuar mëngjesin e djeshëm hyrjen e bashkisë së qytetit, duke mos lejuar asnjë punonjës të administratës të vijojnë punën normalisht. Protestuesit, ish-punonjës të Ndërmarrjes Bujqësore, fillimisht janë grumbulluar në hyrje të qytezës së Orikumit dhe kanë marshuar përgjatë bulevardit, duke bllokuar një pjesë të rrugës kryesore, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Më pas, turma është drejtuar dhe ka bllokuar oborrin e Bashkisë së Orikumit. Për rreth një orë ata nuk kanë lejuar asnjë punonjës të administratës të hyjë në ambientet e brendshme të bashkisë. Me parullat në duar si: “Tokat tek i Zoti ose zbatoni Ligjin 7501”, “Zoti Kryeministër, larg duart nga Orikumi” banorët kanë kërkuar njohjen e pronësisë së tokave që u janë dhënë në bazë të Ligjit 7501. “Ne i kërkojmë Kryeministrit Sali Berisha që të zbatojë ligjin që ai vetë e dekretoi, pra kërkojmë të zbarohet Ligji nr. 7501. Të na njihet 100% e drejta e pronësisë”, kanë thënë dje protestuesit. Ndërkaq ata nuk kanë kursyer akuzat ndaj deputetit të PD-së për Qarkun e Vlorës, Ardian Kollozi, si dhe kreun e Bashkisë së Orikumit, Kanan Brahon, të cilët i kanë cilësuar si “mafiozë të tokave”.
Banorët i kanë bërë thirrje Kryeministrit të vendit, Parlamentit dhe qeverisë që t’i japin sa më shpejt zgjidhje kërkesës së tyre për njohjen e pronësisë së tokave. Ndërkaq ata kanë kërcënuar me përshkallëzim të formave të protestës, nëse vazhdohet të mos u jepet asnjë përgjigje nga organet kompetente.
“Në tokat tona nuk do të lejojmë që të hidhet asnjë lopatë zhavorr dhe jo të ndërtohen godina shumëkatëshe. Ato janë pronat tona, askush nuk mund t’i prekë”, ka thënë njëri prej protestuesve. Më pas, ish-punonjësit e NB janë shpërndarë në mënyrë paqësore, duke paralajmëruar të tjera protesta.
çështja e pronave në Orikum është kthyer kohët e fundit në arenë konfliktesh të vazhdueshme që zgjasin që prej disa muajsh. Ish-punonjësit e Ndërmarrjes Bujqësore pretendojnë se prona është e tyre, në bazë të Ligjit nr. 7501 të dekretuar nga qeveria shqiptare. Ish-punonjësit pretendojnë pronësinë mbi rreth 450 hektarë tokë të ish-ndërmarrjes bujqësore. Për këtë, ata me kohë u janë drejtuar autoriteteve lokale dhe atyre qendrore, por nuk duket se kanë gjetur mirëkuptimin e tyre. Nga ana tjetër, persona të tjerë pretendojnë se prona është e tyre dhe se janë pronarët e vërtetë të kësaj hapësire. Këta të fundit kanë siguruar dokumente të lëshuara nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kjo ka krijuar shpeshherë tension mes pronarëve dhe banorëve, që para disa muajsh u përleshën dhe me policinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›