Aksidenti i merr jetën një 44-vjeçareje
Aksidentet rrugore kanë shënuar një tjetër viktimë në rrugët e Tiranës dhe një person të plagosur. Dy aksidente kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit, ndërkohë që policia po kërkon autorin e njërit prej tyre, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Bëhet fjalë për një aksident rrugor, ku mbeti e vdekur Lije Ismaili, 44 vjeçe, e cila sapo kishte dalë nga shtëpia për t’u nisur për punë. Burimet policore të kryeqytetit shpjeguan se rreth orës ora 05:15, në Rrugën e Durrësit, te karburant “Euro Petrol”, një automjet veturë ka aksidentuar shtetasen Lije Tasim Ismaili, 44 vjeçe, banuese në Laprakë, e cila në orën 08:50 vdiq në spita.
Sipas policisë, autori është larguar nga vendi i ngjarjes e tashmë po punohet për identifikimin e mjetit dhe kapjen e të dyshuarit. Në lidhje me aksidentin tjetër, policia shpjegoi se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Astrit Abdulla Elezi, 37 vjeç, banues në Tiranë. Sipas të dhënave, në orën 11:00, tek ura e Universitetit Bujqësor, duke drejtuar mjetin “Opel”, me targa të huaja OLXQ179, ka aksidentuar shtetasin Emiljano Adem Qosja, 28 vjeç, banues në Kamzë, i cili lëvizte me motoçikletën “Piagio” dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.