Mbetjet nga porti i Durrësit, Rama: Tjetër telenovelë politike, prokuroria po heton

TIRANË, 12 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, në interpelancën e kërkuar nga Partia Demokratike mbi transportin e mbetjeve nga porti i Durrësit, e konsideroi këtë çështje burim telenovele politike, ndërsa theksoi se prokuroria shqiptare vazhdon të hetojë.
“Jam këtu për t’ju përgjigjur një kërkese për interpelancë në shfrytëzim abuziv të rregullores dhe misionit të deputetit, pas një serie fletërrufesh dhe shkrepjesh në ajër të akuzave malinje për të vazhduar hemlimin e shqiptarëve. E tillë është edhe kërkesa për këtë interpelancë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “vetë organizata joqeveritare ndërkombëtare që i referohet interpelanca shprehet se ka dyshime për mundësinë që një sasi mallrash të nxjerra nga procesi i përpunimit industrial janë mbetje të rrezikshme”.
Rama tha se ka dyshime dhe asnjë gjë të vërtetuar. “Asnjë certifikatë analizash, asnjë provë e faktuar ende, por deri tani dyshime”,tha ai.
Kryeministri theksoi se “qysh në çastin e sinjalizimit agjencitë ligjzbatues i kanë konsideruar këto dyshime jo vetëm me vëmendjen e duhur, por edhe me vullentin për të hetuar në bashkëpunim me organet e specializuara europiane”.
Ndërkohë, Rama bëri tëditur se prokuroria shqiptare dhe Agjencia Europiane kundër Mashtrimin (OLAF) vazhdojnë sot të hetojnë.
“Goja e pangishme e politikës së urrejtjes ka ngritur akuzat dhe ka caktuar fajtorët. Si gjithnjë akuzat janë ekstreme dhe fajtorët janë kriminelët e regjimit imagjinar me mua në krye që me këtë rast jam vënë nën akuzën e 1315 duke llogaritur se qyshse ajo gojë shumëtellallshe merret me mua nga dita që hyra në politikë, më është bërë si rregull një akuzë në javë”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se ka kohë që nuk merret si më parë me akuzat dhe me tellallët e hapur së fundmi edhe në formën e një shtatpenxherje në katin e 8-të.
“E kam bërë në gjuhë të huaj kohët e fundit kur mbetjet toksike të gojës skeptike janë eksportuar jashtë, siç ndodhi me programin e RAI 3, por jo vetëm ku unë nuk dola për të mbrojtur veten në Itali, por për të mbrojtur nga helmi i asaj goje shqiptarët e Italisë dhe dinjitetin e Shqipërisë. Mjaftohem hera- herës me paditë në gjykatë ku deri tani goja ‘shtatpenxherëse’ megjithë ca tellallë të zellshëm këtu, janë shpallur shpifës me vendim të formës së prerë dhe gjyqet vazhdojnë”, tha Rama.
“Por, duke qenë se në këtë rast luhet jo me mua, por me nervat dhe ndjeshmërinë njerëzore të shqiptarëve, të cilëve tani po u flitet për Shqipërinë si një gropë mbetjesh të rrezikshme nga ku po dëmtohet edhe shëndeti i Kinës, kam detyrimin të sjell për publikun disa fakte të thjeshta. Pastaj sigurisht vetëm hetimi në vazhdim mund të japë një përgjigje konkrete dhe përfundimtare për këto dy raste të përfolura”, tha Rama.