E Enjte, 5 Nëntor 2026

Mbi 10 mijë qytetarë kanë përfituar ndihmë juridike falas

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim PNUD SI dhe organizatat e shoqërisë civile kanë mundësuar shtrirjen e ndihmës juridike falas edhe në ato zona ku shërbimi i ndihmës juridike falas mungonte dhe nevoja e qytetarëve për ndihmë juridike falas ishte e madhe.

Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas ka mundësuar që 10 438 qytetarë të përfitojnë ndihmë juridike falas që prej vitit 2019 deri në shtator të vitit 2024.

Që prej vitit 2019 e deri më sot, MD dhe PNUD kanë mbështetur hapjen dhe funksionimin e pandërprerë të 12 qendrave, të cilat aktualisht, që prej dhjetorit të vitit 2020 administrohen nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas në Ministrinë e Drejtësisë.

Qendra funksionojnë në rrethin e Shkodrës, Peshkopisë, Lezhës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Pogradecit, Korçës, Beratit, Elbasanit, Kukësit dhe Gjirokastrës dhe ofrojnë shërbim juridik falas për të gjitha gratë, vajzat, burrat dhe djemtë në nevojë, në mënyrë të pandërprerë, gjithëpërfshirëse dhe të barabartë.

Numri i qytetarëve përfitues të shërbimeve të ofruara nga këto qendra ka shënuar rritje nga viti në vit. Që prej vitit 2019 deri në shtator të vitit 2024 në total 10 438 persona në nevojë kanë përfituar shërbim juridik falas në këto 12 qendra, nga të cilët 5488 janë gra dhe 4950 burra.

Kategoritë kryesore që kanë përfituar ndihmë juridike falas, janë personat me të ardhura të pamjaftueshme ose pa të ardhura, të ndjekur nga të moshuarit/pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian, viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Objekti kryesor i çështjeve për të cilat qytetarët kërkojnë ndihmë juridike falas është kërkesa për divorc, urdhër mbrojtjeje, përfitimet e ushqimit për fëmijët në ngarkim, njohja e viteve të punës/përfitimi i pensionit, përfitimet nga skemat e mbrojtjes shoqërore dhe çështjet e pronësisë.

Në zbatim të ligjit për “Ndihmën Juridike të Garantuar nga Shteti”, një ndër ofruesit e ndihmës juridike parësore janë qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore (NJP) përmes punonjësve me trajnim të posaçëm, krahas organizatave jofitimprurëse të autorizuara dhe klinikave ligjore pranë institucioneve të arsimit të lartë.

Këto qendra janë njësi të specializuara për dhënien e ndihmës juridike parësore kategorive që kanë të ardhura të pamjaftushme apo që i përkasin një kategorie specifike në nevojë.

Që para hyrjes në fuqi të ligjit, në qershor të vitit 2018, lehtësimi i aksesit në drejtësi për individët në nevojë ka qenë një prioritet i qeverisë.

“Duke e konsideruar drejtësinë si një “shërbim thelbësor”, PNUD vijon mbështetjen ndaj Ministrisë dhe ofruesve të ndihmës juridike falas në komunitet për sigurimin e shërbimeve të pandërprera të ndihmës juridike për komunitetet në nevojë, për të siguruar një të drejtë themelore të njeriut siç është ndihma juridike dhe aksesi në drejtësi”, thekson në njoftimin për shtyp PNUD.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›