Mbi 100 ndërmarrje të vogla dhe të mesme mbështeten nga AIDA

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Mbi 100 ndërmarrje të vogla dhe të mesme u shpallën fituese të fondeve të vendosura në dispozicion nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
Fondet e AIDA-s do të ndihmojnë këto ndërmarrje në rritjen e konkurrueshmërisë, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, inovacionin/rinovimin e teknologjisë, zhvillimin e artizanatit si dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse me qëllim nxitjen drejt eksportit dhe forcimin e aftësive të tyre lidhur me shërbimet dhe produktet për një treg të qëndrueshëm.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Sokol Duma në ceremoninë e shpalljes së kompanive fituese theksoi rëndësinë e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke qenë se janë themeli i ekonomisë shqiptare.
Ndërsa drejtoresha e AIDA-s, Laura Saro inkurajoi fituesit për të ndjekur me përkushtim zbatimin e projekteve të tyre, duke theksuar rëndësinë e përdorimit efektiv të fondeve për arritjen e rezultateve të dëshiruara.
“Kjo mbështetje me fonde e bizneseve, shënon një hap të rëndësishëm në përmbushjen e misionit të AIDA-s për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e NMVM-ve”, tha ajo.
AIDA ofron mbështetje financiare deri në 2.5 milionë lekë për NVM për zhvillimin e aktiviteteve, mbështetje financiare deri në 1 milion lekë për inovacionin, deri në 1.5 milionë lekë për konkurrueshmërinë, si dhe deri në 800 mijë lekë për startup-et dhe artizanatin.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë motori i ekonomisë, pasi dominojnë punësimin, shitjet dhe vlerën e shtuar. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se mbi 99% e ndërmarrjeve aktive që operojnë në vend janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Të dhënat po ashtu tregojnë se 80.1% të shitjeve neto realizohen nga NVM dhe kontribuojnë me mbi 80% të punësimit total.
1 nga 5/r.e/a.f/