E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 100 të interesuar në thirrjen e Rrjetit MIA, edhe tri ditë në dispozicion për të aplikuar

TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Agjencia për Media dhe Informim pranë Kryeministrisë fton profesionistë, të rinj, ekspertë dhe krijues që t’i bashkohen në këtë fazë të re reformimi.

Ndërsa kanë ngelur edhe tri ditë për të aplikuar për t’u bërë pjesë e Rrjetit MIA, bëhet e ditur se të interesuarit mund të aplikojnë për të punuar me MIA-n duke u bërë pjesë e strukturave të komunikimit të institucioneve qendrore.

Po ashtu mund të bashkëpunojnë duke propozuar një ide, projekt apo zgjidhje për përmirësimin e komunikimit publik.

“Kërkohen aftësi dhe ide në komunikim, media, teknologji, inteligjencë artificiale, video, dizajn dhe analizë të dhënash. Nëse je gazetar, krijues, dizajner, programues, ekspert i teknologjisë apo ke qoftë edhe një ide se si mund ta bëjmë komunikimin publik më të mirë, apliko për t’u bërë pjesë e Rrjetit MIA ose bashkëpunëtor i Agjencisë për Media dhe Informim”, thuhet në njoftimin e MIA-s.

Përmes kësaj thirrjeje, MIA thekson se kërkon talent, energji, ide e mbi të gjitha vullnet për kontribute të reja në komunikimin publik të së nesërmes.

“Premtojmë një proces vlerësimi meritokratik të çdo kandidati. Sepse ne duam thjesht më të mirët”, thuhet në njoftim.

Deri tani bëhet e ditur se janë regjistruar mbi 100 aplikime.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›