Qytetarët dhe aktivistët të vendosur për vijimin e protestës, thirrje për pjesëmarrje

TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Protesta kundër investimit në Zvërnec ka hyrë sot në ditën e 100-të, ndërsa qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile shprehen të vendosur për ta çuar deri në fund aksionin e tyre qytetar.
Aktivistët u bënë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në tubimin e sotëm, duke e cilësuar 100-ditëshin si një moment të rëndësishëm për vijimin dhe përshkallëzimin e protestave.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë, ku artikuluan sërish kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të ashtuquajturës “kastë e vjetër” politike.
Kërkesat e tyre përfshijnë po ashtu shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor etj.
Aktivisti Edison Lika siguroi se qytetarët do ta çojnë deri në fund kauzën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Lika theksoi se, pavarësisht 100 ditëve të protestave të njëpasnjëshme, qytetarët vijojnë të jenë po aq të motivuar dhe entuziastë sa në ditën e parë.
Ndryshe nga herët e tjera, qytetarët të lidhur dorë për dore kanë rrethuar godinën e Kryeministrisë.
E emërtuar si “Revolucioni Flamingo”, protesta nisi më 31 maj si reagim kundër ndikimit mjedisor të projektit turistik në Zvërnec.
Tashmë pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale dhe shprehin shqetësimet e tyre për korrupsionin, mundësitë e punësimit dhe largimin e të rinjve nga vendi.
Aktivistët kanë paralajmëruar gjithashtu vijimin e mosbindjes civile dhe përshkallëzimin e aksionit qytetar.
DIta e 100-të e protestës; Fotoreporter: Andrin Hoxha 1 nga 9/m.m/r.e/