Mbi 1000 policë për mitingun e PS-së
Mbi 1000 punonjës policie janë angazhuar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Tiranë gjatë protestës së Partisë Socialiste. Sipas policisë kryeqytetase, nga Partia Socialiste e Shqipërisë është njoftuar për zhvillimin e një tubimi paqësor, në sheshin "Skënderbej" dhe me itinerar lëvizjeje në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", deri në afërsi të Kryeministrisë. Gjithashtu, tubimi do të vazhdojë edhe përgjatë datave 21 dhe 22 nëntor 2009 në një pjesë të bulevardit "Dëshmorët e Kombit" nga ura e Lanës deri në afërsi të Kryeministrisë. Në këtë kuadër, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka marrë masa për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike dhe garantimin e zhvillimit normal të këtij tubimi. Sa më sipër, policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve për kufizime të thella të qarkullimit rrugor, në disa orare. Sheshi "Skënderbej" u bllokua dje nga ora 15.00‘ deri në orën 17.00‘. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë sqaron opinionin publik se Policia e Shtetit do të bllokojë rrugë dhe do të vendosë kufizime të trafikut vetëm në raste kur kjo gjë do të jetë e domosdoshme. Sipas policisë, veç shërbimeve të rendit, për mbarëvajtjen e këtij tubimi janë angazhuar edhe specialistët e antikrimit.
Ble.Gi.
Ble.Gi.