E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijon në ditën e 127-të protesta para Kryeministrisë

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ Protesta qytetare kundër investimit të planifikuar në Zvërnec vijoi pasditen e sotme në kryeqytet, duke shënuar ditën e 127-të radhazi.

Ashtu si edhe herët e tjera qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” për të vijuar më pas marshimin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Me pankarta në duar dhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit vijuan me artikulimin e kërkesave të tyre për largimin e të ashtuquajturës “kastë” e vjetër politike.

Në sheshin përpara godinës së kryeministrisë aktivistë të shoqërisë civile përsëritën kundërshtimin ndaj investimi turistik në zonën e Zvërnecit, si dhe ndaj politikave për zonat e mbrojtura dhe investimeve strategjike.

Një protestuese nga Diaspora, u shpreh se qëllimi i pjesëmarrjes në protesta është ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe ngriti akuza ndaj qeverisë për mënyrën se si po drejtohet vendi.

“Kam ardhur nga Diaspora. Shqipëria është në rrezik dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë dhe të vijmë”, tha ajo.

Nga foltorja përpara Kryeministrisë, një qytetar bëri apel që të gjithë të marrin pjesë në protesta jo vetëm në mbrëmje, por edhe gjatë seancave parlamentare.

Aktivisti Mirjan Aliaj, gjatë protestës së 127-të kundër qeverisë, foli për protestat e paralajmëruara për ditën e nesërme, më 5 tetor.

Aliaj tha se studentët do të rikthehen në protestë dhe u bëri thirrje të rinjve që, sipas tij, t’i prijnë lëvizjes kundër qeverisë. Aktivisti foli edhe për protestat e paralajmëruara nga bashkitë e vogla, në lidhje me propozimin për ndryshimet në organizimin territorial të vendit.

Protesta, e nisur në 31 maj si kundërshtim ndaj projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, është zgjeruar gjatë javëve në vijim edhe me kërkesa politike dhe institucionale.

protesta para Kryeministrise, foto: Florian Abazaj 1 nga 10

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›