E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 130 mijë krerë të vaksinuar dhe 28 mijë gjedhë të gjurmuar gjatë vitit 2026

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Mbi 130 mijë krerë kafshë janë vaksinuar gjatë vitit 2026 në kuadër të programeve kombëtare për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, ndërsa mbi 28 mijë gjedhë janë gjurmuar në rang vendi.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve bëri të ditur se shërbimi veterinar ka vijuar zbatimin e programeve të kontrollit dhe monitorimit në të gjithë territorin, me fokus parandalimin e përhapjes së sëmundjeve dhe garantimin e shëndetit të kafshëve.

Në kuadër të programit të kontrollit të tuberkulozit në gjedhë, janë gjurmuar 28 582 krerë në rang republike.

Ndërkohë, në kuadër të programit të kontrollit të plasjes, janë vaksinuar 68 431 krerë, përfshirë gjedhë, të imta, njëthundrakë dhe derra.

Një tjetër program i rëndësishëm është ai për kontrollin e brucelozës në të imta, ku janë vaksinuar 61 669 krerë me vaksinën REV-1.

Në total, sipas të dhënave të Autoritetit, 130 100 krerë janë vaksinuar gjatë vitit në kuadër të programeve të vaksinimit.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve thekson se gjurmimi, vaksinimi, monitorimi dhe kontrolli janë pjesë e një qasjeje të integruar për parandalimin dhe kufizimin e përhapjes së sëmundjeve të kafshëve.

Këto masa synojnë forcimin e shërbimit veterinar dhe rritjen e sigurisë në sektorin blegtoral, përmes ndërhyrjeve parandaluese dhe monitorimit të vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore të kafshëve.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›