E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 20 mijë studentë të regjistruar deri në raundin e dytë, procesi deri më 21 tetor

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Raundi i dytë i regjistrimeve për në universitet mbyllet nesër, 4 tetor, ndërsa institucionet e arsimit të lartë po përgatiten për nisjen e vitit të ri akademik më 5 tetor.

Drejtori i rrjetit akademik shqiptar, Arjan Xhelaj tha sot për mediet se deri tani janë regjistruar mbi 20 mijë studentë, por ende ka mundësi zgjedhje për maturantët që nuk kanë vendosur se çfarë do të vazhdojnë.

“Mbi 20 mijë maturantë do të ulen në auditoret e universiteteve më 5 tetor. Ka ende kuota të tjera të lira. Degët kryesore janë ezauruar si Mjekësia e Përgjithshme, Stomatologjia. Gjithashtu edhe Inxhinieria dhe Informatika kanë shkuar drejt ezaurimit. Mund të ketë ketë ende ndonjë kuotë të lirë në këto programe, por ka akoma kuota të tjera në programe të tjera, si Ekonomiku, Juridik, Shkenca Sociale dhe Shkenca Politike”, theksoi Xhelaj.

Lidhur me procedimin e raundit të tretë Xhelaj tha se “faza e lirë, raundi i tretë, vijon me këtë procedurë: fillimisht, universitetet kanë detyrimin të vijojnë me listën vijuese, domethënë me ata maturantë që ishin në listat e pritjes. Nëse do të mbeten ende kuota të lira, atëherë universitetet mund të regjistrojnë edhe maturantë të tjerë ose aplikantë që nuk kishin aplikuar më parë për atë program, por që janë pjesë e portalit U-Albania”.

Ndërsa për programet që rezultojnë me një numër të reduktuar studentësh, Xhelaj thotë se universitetet mund të vendosin të bëjnë edhe riorganizimin tyre.

“Për ato programe që vërtet, ndër vite, kanë rezultuar problematike, disa universitete kanë reaguar dhe nuk i kanë ofruar fare si programe për këtë fillim viti akademik. Edhe pas analizës që bëjnë, ato programe shkurtohen dhe një pjesë e kurrikulës që vlen për studentët mund të kalojë në programe të tjera të ngjashme”, tha Xhelaj.

Viti i ri akademik nis më 5 tetor, ndërkohë që deri më tani rezulton pothuajse i njëjti numër studentësh të regjistruar me atë të një viti më parë. Pas përmbylljes së procesit të regjistrimit më 21 tetor parashikohet që ky numër të arrijë  mbi 21 mijë studentë.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›