Mbi 2900 pacientë morën shërbim tek Ortopedia në SUT gjatë janar-gushtit

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Rreth 2900 pacientë kanë marrë shërbim pranë pavijonit të Ortopedisë në Spitalin Universitar të Traumës gjatë periudhës janar–gusht 2026, ndërsa rreth 2 200 prej tyre i janë nënshtruar ndërhyrjeve të ndryshme kirurgjikale.
Shifrat u bënë publike nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, e cila ndau në rrjetet sociale momente nga puna e ekipit të infermierëve të Shërbimit të Ortopedisë në SUT.
Spahiu vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e stafit infermieror në shërbim të pacientëve, duke theksuar rolin e tyre në ofrimin e kujdesit shëndetësor.
Shërbimi Universitar i Ortopedisë, në Spitalin Universitar të Traumës, merret me diagnostikimin, trajtimin dhe rehabilitimin e dëmtimeve që ndikojnë në funksionimin e sistemit muskulor dhe kockor të trupit, tek grup moshat e ndryshme.
Problemet ortopedike mund të vijnë si pasojë e lëndimeve sportive, sëmundje kronike të kockave dhe nyjeve, si dhe pasojë e aksidenteve.
Shërbimi i ortopedisë është thelbësor për përmirësimin e cilësisë së jetës së individëve që përballen me shqetësime muskulore dhe kockore.
Me anë të konsultave, ekzaminimeve të specializuara dhe mundësive të avancuara për trajtim, specialistët ortoped ndihmojnë pacientët të rimarrin lëvizshmërinë dhe të zvogëlojnë dhimbjen, duke ju mundësuar një jetë aktive dhe pa pengesa.
/e.i/a.f/r.e/