Instalacion i ri në Durrës, promovon identitetin kulturor dhe turistik të qytetit bregdetar

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Një instalacion i ri artistik është vendosur në shëtitoren “Taulantia” në Durrës, duke u shndërruar në një pikë të re referimi për qytetarët dhe vizitorët.
Kryebashkiakja e Durrësit, Emirana Sako u shpreh se kjo nuk është vetëm një vepër artistike, por një simbol i dashurisë për qytetin, detin, historinë dhe komunitetin që i jep jetë çdo ditë.
Krijimi i realizuar nga skulptorët durrsakë Ibrahim, Amarildo dhe Ergys Reçi, mishëron identitetin kulturor dhe turistik të Durrësit, një qytet me histori mijëravjeçare, vlera të pasura kulturore dhe një lidhje të pandashme me detin.
“I konceptuar si një hapësirë urbane takimi, instalacioni synon të shërbejë si një pikë ku qytetarët dhe turistët mund të ndalen, të fotografojnë momente të veçanta dhe të krijojnë kujtime të lidhura me qytetin bregdetar”, tha Sako.
Bashkia Durrës fton qytetarët dhe vizitorët ta vizitojnë këtë hapësirë të re në shëtitoren “Taulantia”, duke u bërë pjesë e mesazhit simbolik që promovon dashurinë dhe krenarinë për qytetin.
/e.i/j.p/r.e/