Mbi 500 të ndëshkuar në dy javë për xhamat e zinj, Lamallari: Rrugët nuk janë vend për privilegje

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka mbështetur publikisht aksionin e gjerë të Policisë Rrugore për evidentimin dhe penalizimin e drejtuesve të automjeteve që përdorin xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin. Përmes një reagimi zyrtar, ai bëri të qartë se nuk do të ketë asnjë tolerim për këtë shkelje, duke theksuar se zbatimi i rregullave të qarkullimit vlen njësoj për çdo përdorues të rrugës.
Duke ndarë pamje nga aksionet e fundit policore në rrjetet sociale, ministri Lamallari theksoi se përdorimi i filmave të errët pa autorizimin përkatës përbën një shkelje që cenon drejtpërdrejt sigurinë dhe transparencën në rrugë.
“Xhamat e errësuar në makinë nuk ju bëjnë të padukshëm. Dhe më keq akoma kur ato i keni pa leje, sigurisht që do të hiqen pa një pa dy nga Policia e Shtetit,” shprehet Lamallari në reagimin e tij.
Sipas kreut të dikasterit të Brendshëm, hapësira publike nuk mund të kthehet në një zonë ku individë të caktuar kërkojnë trajtim të veçantë apo fshehje të identitetit.
“Rrugët nuk janë vend për anonimitet dhe as për privilegje. Janë hapësirë publike ku rregullat vlejnë njësoj për të gjithë,” thekson ai.
Bilanci i policisë rrugore dhe masat në vijim
Në kuadër të planit për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset kombëtare dhe urbane të vendit.
Vetëm gjatë dy javëve të fundit, forcat e rendit kanë penalizuar më shumë se 500 drejtues mjetesh për këtë kundërvajtje.
Fokusi i operacionit ka qenë identifikimi i automjeteve me xhama të zinj të pacertifikuar, heqja e tyre në vend, si dhe zbatimi i sanksioneve administrative.
Këto masa pritet të vijojnë sistematikisht me qëllim garantimin e zbatimit të plotë të legjislacionit në fuqi dhe parandalimin e burimeve të mundshme të aksidenteve apo rreziqeve të tjera që vijnë nga kufizimi i fushëpamjes.
/rtsh.al/