Mbi gjuhën, ligjërimin dhe gjuhësinë
Ilir Yzeiri
Para disa ditësh në faqet e Shekullit u shfaqën mendime e opinione për problemet e gjuhës shqipe prej kolegëve të mi Ardian Vehbiu dhe Ardian Klosi. Do të doja të përfshihesha në këtë diskutim jo aq për të shtuar ndonjë zhurmë të panevojshme, sesa për ta zgjeruar debatin dhe, me këtë rast, do të doja të shpresoja se në këtë debat mund të përfshihen edhe të tjerë, veçanërisht filozofë, sociologë, historianë të gjuhës, shkurt, profesionistë të shkencave humane e social-psikologjike.
Duke u rikthyer edhe njëherë të argumenti, pra te problemet që paraqit sot gjuha shqipe, do të doja të konstatoja që në krye të herës se debati për probleme të gjuhës shqipe mund edhe të mbante në vështrim tri fusha apo tri anë që lidhen me gjuhën, e përkatësisht gjuhën si sistem shenjash apo si kod, apo më tej akoma gjuhën si fakt shoqëror e cila, ashtu siç thoshte Sosyri, qëndron në trutë e njerëzve e përzier me mendimin mu sikur retë që kanë brenda ujin dhe masën e bardhë të reve. Pra, gjuha në këtë formë, pra si masë amorfe e ngjizur në koncepte e në modele mendore, gjendet në serverin e memories të secilit prej nesh. Këtë formë ne, me anë të aktit të të folurit, e zbresim prej truve tona dhe e përdorim për të komunikuar në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. Kam parasysh këtu, për të mos u zgjatur, gjithë veprimtaritë që njeriu kryen duke përdorur gjuhën si bartëse të qëllimeve të tij. Sosyri u bë i famshëm, gjithashtu, pse ai në fillim të shekullit XX u përpoq të përcaktonte objektin e gjuhësisë. Pra, vijmë në një anë tjetër që lidhet me gjuhën dhe që është gjuhësia. Kjo disiplinë e rëndësishme e dijes, sipas Sosyrit, deri në fillim të shekullit XX nuk kishte pasur ose nuk ishte marrë me gjuhën, por me një ose disa nga realizimet e saj dhe ai dallonte pastaj gramatikën, nocionet e së cilës u përpunuan në antikitet, filologjinë dhe gjuhësinë historike, të cilat, gjithnjë sipas tij, nuk kishin rrokur në themel gjuhën si objekt studimi. Sosyri u përpoq të sanksiononte objektin e gjuhësisë duke shpallur se gjuha si sistem shenjash me lidhje të qëndrueshme, pra si kod, duhet të jetë objekt i gjuhësisë. Dihet gjithashtu vendi që i dha ai semiologjisë duke e përcaktuar atë si disiplinën më të gjerë të studimit të shenjave në gji të jetës shoqërore, disiplinë që përfshinte brenda saj edhe vetë gjuhësinë.
Mirëpo debatet që lindën më pas mbi këtë argument, e sidomos kundërshtitë e Barthes-it, nuk mund të trajtohen në kufijtë e një shkrimi si ky. Dhe vijmë te ana e tretë që lidhet me realizimin praktik të gjuhës. E kam fjalën për ligjërimin, pra për aktet e të folurit, të studiuara sidomos nga Searle e Austin, si dhe modelet e mëdha të komunikimit, të cilat janë shpallur në mënyrë shteruese, sidomos nga Jakobson. Po të kemi në sy këtë tablo, unë mendoj se mund ta kemi më të lehtë të shtrojmë pyetjen se cila prej këtyre anëve të gjuhës apo të problemeve që lidhen me të është në krizë. Pra, është në krizë gjuha vetë, është në krizë gjuhësia si shkencë, apo është deformuar dhe po rrëgjohet ligjërimi gjuhësor. Në mjaft raste debati për problemet e gjuhës në Shqipëri është rrudhur e është përqendruar te norma dhe standardi. Në këtë pikë më duhet të hap një parantezë. Regjimi monist në Shqipëri i kushtonte një vëmendje të posaçme gjuhës si formë të shfaqjes së kulturës dhe identitetit socialist. Kam përshtypjen se kjo mendësi duhet parë e lidhur me kuptimin që kishin komunistët për artin e kulturën në tërësi. Sipas konceptit zhdanovian që u vu më pas në themel të kuptimit për socrealizmin, arti e letërsia, madje kultura në tërësi, duhet të ishin socialiste nga përmbajtja dhe nacionaliste nga forma. Me formë nacionaliste ata kishin në vështrim sidomos gjuhën. Nga kjo pikëpamje, komunistët dhe sistemi politik e shoqëror që ata ndërtuan, kishte nevojë për një formë të qartë e hijerëndë. Ndaj areali ku realizohej gjuha, më saktë ligjërimi, ishte rreptësisht i kontrolluar prej etikës socialiste. Në ushtri, në televizion, në media, në administratë, në shkolla e në universitet, në letërsi e art gjuha u specializua dhe përdorej sipas stileve funksionale të përcaktuara (Bahtin). Mirëpo, veçanërisht në shkrim, gjuhësia shqiptare u përpoq të përcaktonte e të përzgjidhte prej shqipes modelin e gjuhës letrare të përbashkët duke përcaktuar normën gjuhësore në të gjithë trupin e gjuhës, përkatësisht në morfologji, sintaksë e fonetikë. Të mos harrojmë se më këtë punë u morën gjuhëtarët shqiptarë më në zë. Ata shkencëtarë të gjuhës që morën pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ishin ndër më të mirët e të gjitha kohërave. Mirëpo ky areal i madh ku do të përdorej gjuha, kishte shmangur një nga anët qenësore të veprimtarisë së njeriut që ishte veprimtaria fetare. Ligjërimi i gjuhës shqipe u ndalua që të shfaqej e të përdorej në këtë sferë të veprimtarisë së njeriut që, për paradoks, ishte sfera nga e cila në mos ishte ngjizur, të paktën ishte ruajtur e konservuar për shekuj me radhë gjuha shqipe.
Por ky është një diskutim tjetër. Sipas mendimit tim, gjuha shqipe është një mundësi e pamasë për të shkruar bukur, për të folur gjithashtu bukur, për të medituar thellë, për të arsyetuar hollë. Pra, sipas mendimit tim, gjuha shqipe si entitet abstrakt i folësve shqiptarë nuk është në krizë. Jemi në krizë ne, bartësit e saj dhe institucionet tona gjithashtu. Më vjen ndërmend në këtë rast jo vetëm Buzuku e Budi apo Bardhi, më vjen ndërmend sidomos Bogdani dhe vepra e tij Çeta e Profetënve. Jemi në shekullin XVII dhe kur e lexon sot atë vepër të duket sikur ushtojnë zërat e akademikëve, shkencëtarëve, filozofëve, poetëve. Pse? Sepse Bogdani ishte një gjeni i paarritshëm dhe e zbriti shqipen nga nënvetëdija apo vetëdija e tij e plagosur dhe ndërtoi me të një vepër universale. Shqipja e Bogdanit u tregua e aftë që të përballonte nocionet e Dhjatës së Vjetër e të Re, të filozofisë e të Kozmogonisë, të poezisë e të narracionit total në përgjithësi. Mirëpo, gjenitë e formatit të Bogdanit kanë gjithmonë, më shumë se të tjerët, ndjeshmërinë për të diktuar shëndetin e gjuhës. Dhe Bogdani, i tmerruar nga gjendja në të cilën po zhytej dheu i tij, ndërmori atë nismë gjigante, sepse dheu i Arbënit ishte mbëluar me dy palë niegulla në sy qi janë mbëkati e padija. Mëkati në kuptimin e largimit nga feja e krishterë. Nuk është rasti këtu që të përshkruajmë rrugën që ndoqi pastaj lëvrimi i shqipes, por më duhet të theksoj edhe njëherë se gjuha si një entitet abstrakt bëhet e prekshme dhe ne të gjithë jemi në gjendje ta shijojmë bukurinë apo madhështinë e saj, kur ajo lërohet prej gjenive të formatit të Bogdanit, fjala vjen. Për paradoks të pashpjegueshëm, shqipja e kohës së komunizmit ndeshi me një tjetër gjeni që ishte Ismail Kadare dhe kështu ajo arriti nën pendën e tij që të shfaqte të tillë magjepsje e forcë saqë edhe frëngjishtja, kur u gjend përballë shqipes së Kadaresë, u detyrua të rivitalizohej. Të mos harrojmë se njeriu që kishte përqasur këto dy entitete të mëdha, ishte përkthyesi me famë botërore Jusuf Vrioni. Mirëpo diktatura ra dhe bashkë me të të gjithë patën ndjesinë se do të shembej edhe ngrehina e ligjërimit gjuhësor shqip, në kuptimin që shqipja do të shpërthente kështu kavot e standardit e të normës që në vështrim të parë dukej se e kishin mbërthyer atë dhe po i zinin frymën. Është e vërtetë se gjuha shqipe u thirr përsëri që të vepronte edhe në sferën e veprimtarisë religjioze dhe rizgjimi i institucioneve fetare si dhe bartësit e shqipes kishtare, kryesisht ata të variantit letrar të gegërishtes veriore, zbritën nga hone apo shpella të harruara konstrukte apo lidhje shenjash që riaktualizonin një realitet të ndërprerë fatalisht për pesëdhjetë vjet. At Zef Pllumi e përtëriu sidomos këtë traditë me dy veprat e tij Rrno vetëm për me tregue dhe Histori kurr e shkrueme sidomos.
U duk se shqipja tashmë nuk kishte asnjë kufizim për të zbritur e për tu përdorur në veprimtaritë humane të subjekteve shqiptare. Problemi që u ngrit përsëri, ishte se cilën shqipe duhet të përdornim. Megjithëse vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe nuk janë hedhur poshtë, përdorimi i