E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorik Cana: Me Sandërlendin synoj një nga 10 vendet e para


Sokol Xhihani
 
Mesfushori shqiptar Lorik Cana ka luajtur një rol kyç tek skuadra e tij e re Sandërlendi në tre ndeshjet e para të Premier Ligës, duke bërë që skuadra e tij Brus ta nisë në mënyrën më të mirë kampionatin. Ish-kapiteni i Marsejës është i bindur se Sandërlendi do të arrijë të renditet në gjysmën e lartë të tabelës së klasifikimit në fund të kampionatit, pas dy sezoneve që e kanë parë këtë skuadër të luftojë për mbijetesë. Loriku ka arritur të impresionojë të gjithë drejtuesit dhe tifozët e “Maceve të Zeza” me paraqitjet e tija, duke treguar edhe njëherë se zgjidhja për të lënë kampionatin francez e për tiu bashkuar atij anglez rezultoi mëse e drejtë.
“Moti këtu nuk është njësoj si në jug të Francës, por kjo nuk është gjëja më e rëndësishme për mua, - është shprehur mesfushori shqiptar, i cili flet një anglishte shumë të mirë, - Ajo që ka rëndësi është që ndihem mirë dhe dua të luaj sa më mirë të mundem. Këtu është një atmosferë vërtet elektrizuese. është një vend i mbushur me pasion dhe për këtë arsye unë zgjodha Sandërlendin për të vazhduar karrierën time. Unë jam një mesfushor tipik. Përpiqem gjithmonë të jem një lider në zonën time dhe jap në çdo ndeshje 300 për qind të formës. Më pëlqen loja e fortë dhe për këtë arsye zgjodha kampionatin anglez. Këtu luhet një lojë e fortë dhe shumë e shpejtë. Përpara se të largohesha nga Marseja nuk e kisha të lehtë të zgjidhja se ku do ta vazhdoja karrierën time, por Sandërlendi u shfaq menjëherë shumë e interesuar për mua dhe ndodhi gjithçka shumë shpejt. Përshtypjet e mia të para janë me të vërtetë shumë të mira. Një stadium i mrekullueshëm, një fushë stërvitore shumë e mirë, një skudaër dhe trajner fantastik”.
Lojtari 26-vjeçar dhe shokët e tij të skuadrës të Sandërlendit do të përpiqen që të vazhdojnë startin impresionues të kampionatit edhe të shtunën ku do të luajnë në fushën e Stok Sitit. “Macet e Zeza” kanë arritur 2 fitore dhe një humbje në tre ndeshjet e para të Premier Ligës, ndërkohë që kanë arritur edhe një fitore në “Carling Cup” ndaj Noruiçit me rezultatin 4-1.
Për vazhdimin e serisë pozitive të fillimit të kampionatit, Lorik Cana, i cili përpara kalimit tek Sandërlendi u përfol se do të nënshkruante për skuadra si Arsenali apo Evertoni është shprehur se do të ishte vërtet fantastike nëse skuadra e tij do të arrinte të renditej në 10 vendet e para. “E di shumë mirë se sezoni i fundit ka qenë shumë i vështirë për skuadrën, - vazhdoi Loriku, - është e vështirë që gjërat të ndryshojnë menjëherë por ne do të provojmë të japin gjithmonë maksimumin për tiu dhënë tifozëve sa më shumë gëzim. Jam përballur shumë herë ndaj skuadrave angleze në Ligën e Kampioneve (me çelsin dhe 4 herë me Liverpulin) dhe e di shumë mirë se niveli i klubeve britanike është shumë i lartë, por në këtë sezon me trajnerin e ri dhe lojtarët e rinj ne do të synojnë një nga 10 vendet e para. E dimë se nuk do të jetë e lehtë por pse mos ta provojmë ta arrijmë. Kemi një skuadër simpatike dhe për më tëpër që luajmë në kampionatin më të fortë në botë ku në çdo javë ke mundësi të luash në stadiume fantastike dhe me skuadra të mëdha”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›