Vëllai i madh i fqinjit verior
Derisa në Kosovë po brengosemi se kush do ta qeverisë secilën komunë, dhe me kë do të martohet Thaçi nëse shkurorëzohet me Sejdiun, një lëvizje e madhe politike po na ndodh para hundëve. Më saktësisht në Serbi. Më tmerrësisht: Rusia po afrohet
Rritja ekonomike e Rusisë gjatë viteve të fundit (prej ardhjes së Putinit në pushtet) është përkthyer edhe në rritje të ndikimit në glob. Por jo vetëm kaq: rritja ekonomike e zgjeron edhe apetitin për sferë më të gjerë ndikimi. Kjo është e vërtetë për secilin vend imperialist. Sepse kapitali, që ta vazhdojë funksionin e tij (të vazhdojë të mbetet kapital), është përherë në kërkim të ndërmarrjeve të reja, më profitabile. Këto ndërmarrje zakonisht janë më atraktive në vendet e tjera prej atij të origjinës së kapitalit, pasi akumulimi aty dhe rritja ekonomike e shkaktuar nga ky akumulim, kushtëzojnë edhe ndryshim të rrethanave investuese, por edhe ngopje të tregut. E njëjta gjë po i ndodh edhe Rusisë tash. Përkundër një dridhjeje të thellë ekonomike të shkaktuar nga kriza globale financiare dhe zhvlerësimit të thellë të investimeve, por edhe rënies drastike të çmimit të naftës, Rusia vazhdon marshimin e saj imperialist nëpër vendet tjera, e bashkë me këtë, zgjerimin e sferës së interesit. Ndryshimet rrënjësore prej një bote njëpolare kah një e tillë multipolare, janë kuptuar me seriozitetin më të madh nga Rusia. Perandoria e gazit dhe burimeve të energjisë ka filluar t’i ritrasojë rrugët e vjetra të shtrirjes së ndikimit të saj, në kërkim të përhershëm të qëllimit historik që kjo perandori e ka pasur: rritjen e ndikimit në Europë dhe, përmes saj, në aferat globale.
Më 20 tetor të këtij viti, kryetari i Rusisë, Dmitry Medvedev, vizitoi Beogradin. Kjo vizitë kaloi thuajse e pavërejtur në Kosovë. Kishim dasmë atëbotë: kishte filluar fushata parazgjedhore. Ndërkohë që kjo vizitë kishte domethënie serioze edhe për ne, meqenëse rritja e çfarëdo pranie ruse në Serbi e forcon Serbinë, forcim ky që bart rrezik të natyrshëm për ne. Aq më tepër kur kemi të bëjmë me një Rusi në ngritje, e jo siç e kanë keqkuptuar nganjëherë politikanët e Kosovës, me një Rusi ndikimi i së cilës është joekzistent.
Medvedevi vizitoi Beogradin për dy arsye: nënshkroi marrëveshjen për shtrirjen e gazsjellësit “Rryma e Jugut” përmes territorit të Serbisë, për të vazhduar pastaj në Europë; arriti marrëveshje me qeverinë e Serbisë për ndërtimin e një baze ushtarake në Nish për ndërhyrje humanitare.
Gazsjellësi “Rryma e Jugut” do të shtrihet përgjatë 470 kilometrave në territorin e Serbisë, me kapacitet prej 36 deri në 41 milionë metrash kub gaz në vit. Po ashtu, në Serbi do të ndërtohet edhe stacioni kryesor i shpërndarjes së gazit për rajonin dhe Europën, meqenëse aty do të ndërtohet edhe depoja e gazit natyror me kapacitet 7 miliardë metra kub. Medvedev me këtë rast paralajmëroi se Rusia ka synim që ta shndërrojë Serbinë në një aktor të madh për energji, më të madhin në rajon, i cili do ta shpërndajë gazin rus në Europë, duke shtuar se ky bashkëpunim do të rezultojë në partneritet strategjik mes dy shteteve. E tërë kjo dukshëm ia forcon Serbisë pozitën jo vetëm karshi vendeve të rajonit, por edhe karshi BE-së në përgjithësi. Prej ardhjes së Putinit në pushtet ne kemi qenë dëshmitarë të rritjes së ndikimit të Rusisë në Europë (edhe) përmes kërcënimeve me ndaljen e furnizimit me gaz natyror. 40 për qind e gazit të importuar në BE vjen nga Rusia, ndërkohë që “Gazprom” (kompania shtetërore ruse, e cila ka nënshkruar marrëveshjen me Serbinë), furnizon 28 për qind të tregut të BE-së me gaz. Më shumë se gjysma e këtij gazi do t’i shitet Europës përmes Serbisë (meqenëse “Rryma e Jugut” është njëri nga gazsjellësit që po i ndërton Rusia, kurse “Rryma e Veriut” kalon nëpër detin Baltik prej Rusisë në Gjermani). Kjo natyrisht që do ta vendosë Serbinë në pozitë shumë të mirë kushtëzuese ndaj BE-së. Përveç peshës gjeostrategjike dhe kushtëzuese, marrëveshja i leverdis Serbisë edhe ekonomikisht. Transiti i gazit nëpër territorin e Serbisë do ta pasurojë këtë shtet me 500 milionë euro në vit përmes taksave të transitit. Përveç kësaj, kompania “Srbijagas”, që do të jetë bartëse e afarizmit me grumbullim, shpërndarje dhe shitje të gazit, ka mbetur me 49 për qind në pronësi të shtetit të Serbisë, ndërkaq 51 për qind i janë shitur “Gazprom”-it.
Serbia është shndërruar së fundi edhe në kandidate serioze nga rajoni për anëtarësim në BE. Qysh nga dhjetori, qytetarët e Serbisë do të udhëtojnë për në BE pa viza, ndërkohë që marrëveshjen për tregti të lirë po e bllokon vetëm Holanda, për shkak të mosdorëzimit të Ratko Mladiçit. Serbia është përfituesja më e madhe e fondeve të BE-së në rajon (natyrisht me përjashtim të atyre vendeve, të cilët tashmë janë pjesë e BE-së). Duket paradoksale që një vend aspirues për në BE të lidhet ngushtë me Rusinë. Do të kishte paradoksale nëse BE-ja dhe Rusia do të kishin interesa kundërthënëse. Por interesat e tyre nuk janë përherë kundërthënëse. Nuk kanë të gjithë vendet e BE-së disponim armiqësor ndaj Rusisë. Vendet kryesore të BE-së (përjashto Britaninë e Madhe) janë miqësore ndaj Rusisë. Gjermania është konsumuesi më i madh i gazit rus brenda BE-së. Holanda është vendi me transaksionet më të mëdha tregtare me Rusinë. Greqia, gjatë vitit 2007, blerjen më të madhe të armëve e ka bërë nga Rusia. Janë Polonia dhe deri në një masë Republika çeke, ato që përherë e problematizojnë pozicionin miqësor të BE-së karshi Rusisë. Dhe pikërisht për t’i evituar këto, Rusia po i ndërton gazsjellësit e ri. Në samitin e fundit BE-Rusi, të mbajtur gjatë javës së kaluar, të dyja palët ishin dakorduar për pjesën më të madhe të marrëveshjes për tregti në mes tyre, ndërkohë që, sa i përket gazit, kanë nënshkruar marrëveshjen për paralajmërimin e hershëm në rast të ndërprerjes të furnizimit me gaz, naftë apo energji elektrike. BE po afrohet me Rusinë. Serbia me të dyja.
Baza ushtarake e planifikuar të ndërtohet në Nish u vlerësua të jetë bazë që do ta siguronte mbarëvajtjen e punës së gazsjellësit. Megjithatë, është bazë ushtarake e Rusisë, dhe afërsisht 70 km larg kufirit të Kosovës. Ndërkohë që të hënën u hap solemnisht baza ushtarake e Serbisë në Bujanoc, shumë afër kufirit me Kosovën. Kjo bazë ushtarake e Serbisë ka kapacitet për vendosjen e 1000 ushtarëve profesionistë, dhe është menduar të jetë e përdorur si nga ushtria, ashtu edhe nga policia e Serbisë.
Nëse e kujtojmë vetëm pak historinë, Rusia është arsyeja kryesore e ekzistencës së shtetit serb sot, në kufijtë që i ka. Ishin fitoret e Rusisë cariste kundër Perandorisë Otomane, ato që ia zgjeronin autonominë dhe territorin Serbisë dhe Malit të Zi në Ballkan. Paqja e Shën Stefanit u ratifikua në Berlin thuajse e tëra. Kjo shkaktoi përndjekjen e parë masive të shqiptarëve nga trojet e tyre të okupuara nga Serbia. Ishte po ashtu përkrahja dhe insistimi rus, që në fund i bindi të gjitha fuqitë tjera ta pranojnë aneksimin e Kosovës që ia bëri shteti serb. Atëherë një Rusi e fortë nënkuptonte një Serbi të fortë. Dhe anasjelltas: sa më e fortë Serbia, aq më e fortë Rusia në rajon. Dhe tash duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Gati 100 vite pas, prapë Rusia është në ekspansion, dhe prapë Serbia me plan hegjemonik. Ndërkohë që shqiptarët prapë në pozitë të ngjashme. Jemi të sunduar nga misionet e huaja dhe nuk na lejojnë t’i zhvillojmë kapacitetet për t’u mbrojtur. Jetojmë në mjerim ekonomik, ndërkohë që na premtojnë ditë të mira pas reformimit (sikur me Tanzimat). Nga ne kërkojnë me ngulm t’u besojmë fjalëve, ndërkohë që kërkojnë me të njëjtin ngulm ta injorojmë atë që po e shohim me sy.
Visar Ymeri
Prishtinë, 24 nëntor 2009