Mbi vëllimin me tregime “Antologjia e shpirtrave” të Taip Sulkos
07/08/2009 SHKRIMTARI I TREGON POPULLIT TË VET SE CILI ËSHTË AI
Sapo më ra në dorë, në vendin ku jetoj, libri “Antologjia e shpirtrave” i Taip Sulkos, e shtyrë nga një kureshtje jo e zakonshme fillova menjëherë leximin. Kjo kureshtje është e natyrshme, sepse po lexoja librin e një shoku tim të kursit të letërsisë. Është e natyrshme gjithashtu që të më vinin në mendje poezitë e bukura dhe përkthimet që T.Sulko botonte në shtypin e atëhershëm dhe që në vetëdijen time kishin ngelur si krijime “të kohës së rinisë”.
Për herë të parë po lexoja një përmbledhje me tregime prej tij dhe kjo për arsye objektive mund të them, për thjesht faktin se jetoj prej një kohe të gjatë jashtë Atdheut, në “qytetin e përjetshëm” si quhet ndryshe e ku, gjithsesi, njeriu i përkushtuar ndaj letrave ka mundësi të njohë si trashëgiminë e madhe letrare e po ashtu edhe prirjet dhe zbulimet më të fundit të letërsisë bashkëkohore. Pavarësisht se isha, sikurse përmenda e mbushur me letërsi, librin e T.Sulkos e përfundova me një frymë. Mendimi i parë që më shkoi në mendje ishte se T.Sulko, tashmë diplomat karriere, është një shkrimtar i talentuar. Këtë e them jo për arsye të njohjes vetjake apo edhe të asaj rrëmbushjes që ndjen sakaq kur jeton jashtë vendit dhe takon papritur me një pjesë të vendlindjes qoftë kjo edhe me një libër. Jo, këtu ka arsye të tjera, të mjeshtërisë dhe njohjes të cilat janë aty në libër dhe mund t’i vërejë kushdo.
Dua të them se libri, “Antologjia e shpirtrave”, në mendjen time i dha përgjigje një sërë pyetjesh që më lindnin sa herë që kthehesha për periudha të shkurtra në Atdhe. Si shumë bashkëatdhetarë, edhe unë gjithmonë jam përpjekur të mbaj lidhje me vendin tim, jo vetëm për faktin se këtu jeton familja nga rrjedh, por edhe për kujtimet e shumta të jetës time, vendi ku u rrita dhe u formova, universiteti, karriera e nisur pas përfundimit të studimeve, ardhja e familjes dhe fëmijëve, paraardhësit e tyre, apo thjesht edhe mbrëmjet dhe mëngjeset ku flitet shqip, por të gjitha të shpërngulura papritmas në një tjetër vend, në një mënyrë aq absurde dhe pa e kuptuar përse? Spekulim apo konfuzion banal i nocioneve? Ti mund ta vrasësh mendjen dhe mbase kurrë nuk do të gjendet një përgjigje e saktë, por një gjë e di mirë, dashuria jote e pamat për vendin dhe për gjuhën tënde janë aty që të ndihmojnë të ruash pozitiven, të mbështesin për të ecur përpara, të shpërblejnë në një farë mënyre madje të nxisin, të bëjnë të krahasosh me vendet dhe popujt e tjerë... Ja me këto ndjenja dhe mendime e fillova leximin e këtij libri dhe nuk u zhgënjeva.
Madje me plot gojën mund të them se me përfundimin e “Antologjisë së shpirtërave” kuptova më thellësisht se çfarë ka ndodhur gjatë mungesës sime në psikologjinë e popullit tonë. Mendoj se kemi të bëjmë me një libër që i bën thirrje ndërgjegjes së kombit shqiptar dhe do të shtoja se, në qoftë se kritika më e mirë është shprehur se ne e njohim shoqërinë tonë të viteve ’30, karakterin e shqiptarit të asaj periudhe nëpërmjet veprës së Migjenit, unë pa mëdyshje mund të them se nëpërmjet krijimeve të kësaj antologjie njihen karakteristika të shoqërisë shqiptare sot, njihet dhe zbulohet më tej thelbi i saj, shpirti i përshkruar në një antologji artistike.
E kam lexuar dhe rilexuar “Antologjinë e shpirtrave” dhe më është ngulitur thellë mendimi se Taip Sulko me guxim na zbulon dhe na ve para syve si në një ekran të madh ngjarje të kohës sonë, portrete njerëzish të perudhës historike që jetojmë e, herë pas here, duke filluar që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e deri më sot. Në një tregim prej 5 faqesh si është “Shegët e Moskës”, me një aftësi jo të zakonshme sintetizuese, si njohës i thellë i mendësisë së njeriut, autori zbulon një të vërtetë historike se si shqiptarët, banorë në tokën e tyre, me gjuhën e tyre ( kjo gjuhë e magjishme sa e keqpërdorur herë pas here) kanë arritur deri sa t’i shkatërrojnë jetën njëri-tjetrit në emër të një ideologjie, të cilën disa e keqpërdornin, të tjerë nuk e njihnin dhe as e kuptonin pa le më të mendosh për ata që e trumbetonin si për zbatim krijues. Një fjalë e thënë si pa të keq, mbi gjendjen e vështirë ekonomike në vendin e parë socialist, BS, kryen qarkun fatal dhe tek pika e nisjes ajo kthehet në mënyrë tragjike, si pranga për autorin e atyre fjalëve, fati i të cilit më tej është që ta ngrysë jetën burgjeve.
Çdo popull nëpërmjet gjuhës, historisë që prodhon dhe sipas mendësisë së tij nxjerr shkrimtarë që i kanë treguar popullit të vet se cili është ai. Nëpërmjet krijimtarisë së Cvajgut njohim mendësinë dhe jetën e popullit austriak, nga kjo pikëpamje Taip Sulkon do ta quaja “Cvajgu shqiptar” jo vetëm për sa i përket njohjes por edhe mënyrës së përshkrimit të psikologjisë qytetare shqiptare, edhe për arsye të mjeshtërisë së dalluar artistike që shfaqet në tregimet “Largimi”, “Pse dashurojnë mesogratë”, “Durim Guraziu i çiltër”, “Mëkati i bukurisë”, “Çezma e shtatë” “Bar Miu” etj. Në të gjitha këto tregime, lexuesi profesionist ose jo do të gjejë përkushtimin për gjetje kompozicionale origjinale, prirjen e rëndësishme për të folur me stil të ngjeshur dhe për të rrëfyer me një gjuhë të pasur dhe të larmishme për jetë, vende dhe personazhe që mbartin dritë-hije të thella jetësore, nga skenat që të bëjnë të vesh buzën në gaz e deri tek fate me përfundime dramatike dhe tragjike. Në shumicën e tregimeve rrëfimi i autorit shkon në atë rripin e ngushtë që ndan shpesh jetën nga vdekja, dritën nga errësira, lumturinë nga fati tragjik. Shkrimtari T.Sulko ka prirjen të shohë thellë në dukurinë shoqërore dhe në shpirtin e njeriut, dhe pse jo ashtu, duke ecur në lexim, me mjeshtërinë gjuhësore të na grishë edhe ne drejt disa përfundimeve domethënëse dhe me vlerë shoqërore dhe artistike.
Tregimi i gjatë ose novela “Bar miu” të befason me mënyrën dhe stilin, me ritmin e të shkruarit, por sidomos me karakterizimin e portreteve dhe intensitetin e zhvillimit të ngjarjes. Kjo novelë është një rrëfim që me kuptimin e plotë të fjalës të le me gjak të ngrirë deri në fund. Autori është i shqetësuar, por ti vetëm e mendon këtë më pas, gjatë leximit ai fshihet pas ngjarjes dhe rrëfimit, dhe kupton se ka ndjekur një logjikë të pathyeshme të rrymës së jetës kur ajo ka rënë papritur në hullinë e një fati tragjik, e po kjo logjikë e pakundërshtueshme shfaqet edhe tek argumentimi artistik i veprimeve dhe padyshim edhe tek përvijimi i natyrshëm i fundit të personazhit kryesor, (sipas postulatit se njeriu që ngre një kështjellë prej helmi do të vdesë i helmuar). Autori me guxim kërkon të demaskojë atë që po ndodh me segmente të këtij populli, i cili, fatkeqësisht, me vlerat e tij të dalluara dhe me fisnikërinë e tij është i detyruar të jetojë nën trysninë e moralit që buron nga tregtia e helmuar, ku çdo gjë kthehet në mall, ku duhen përpjekje për të penguar varfërimin e tejskajshëm të shpirtit njerëzor e deri tek kriminalizimi që sjell ky moral...Thirrja është e qartë, dhe lexuesi ashtu duke e lexuar, pajtohet me shkrimtarin, pasurohet me argumente në ruajtje të vlerave dhe trashëgimisë pozitive dhe të vyer që përbëjnë thelbin, moralin e domosdoshme të çdo kombi.
Shqetësimin e shkrimtarit të angazhuar që kërkon të thotë: “Çfarë po ndodh kështu? Bëni kujdes se ekziston dhe parimi i bumerangut” e shohim qartë edhe tek “Lojë fëmijësh”, tregim që sikur të fton të sjellësh në mendje vuajtjen dhe sidomos revoltën që nxisnin motivet migjeniane tek “Recital i malësorit” dhe të rijetosh jehonën e vargjeve “O, si nuk kam një grusht të fuqishëm, malit që hesht, mu në zemër me ia njesh!”. Por jo vetëm në këtë tregim, por në përgjithësi, në krijimet e tij, T.Sulko i thërret bashkëkohësit, herë hapur dhe herë nëpërmjet nënkuptimit elegant, por gjithsesi me guxim do të thosha, i tërheq vëmendjen për mënyrën e konceptimit të thelbit të jetës, për të larguar nga ajo ato filozofi që nuk bazohet tek e drejta por, fatkeqësisht, tek dhuna e më të fortit, dhe që shfaqet dhe zë vend, deri dhe në familje e në jetën dhe edukimin e brezit të ri... Lexuesi, në tregim, vuan bashkë me autorin që duket sikur ka marrë trajtat e një personazhi atipik, të një intelektuali soditës, por që nuk është i tillë, sepse tejqyra e tij, ashtu si pa-kuptuar vihet në dorën dhe sytë tanë.
Mendoj se ia vlen të gjykojmë dhe të shprehim vlerësimin tonë edhe për tregimet që marrin shkas, apo gjetjen letrare nga jeta e fshatit, të cilat po ashtu dallohen për njohje shumë të mirë të mendësisë njerëzore, të fshatarit dhe rrethanave që e përbëjnë atë, qoftë si qenie shoqërore ashtu edhe si qenie njerëzore. Do të përmendja këtu tregimet “Mëkati i bukurisë”, “Çezma e shtatë” dhe “Eppur si muove”, që përveç të tjerash flasin edhe për trevën nga vjen autori, e përsëri, duke dashur të bëj një krahasim, për mënyrën se si realizohen përshkrimet, për përdorimin me mjeshtëri të fjalës T.Sulko më përngjan me Mitrush Kutelin shqiptar apo me Elin Pelinin bullgar që më së miri kanë njohur dhe kanë dhënë në letërsi mendësinë e fshatarit.
Ajo që të befason si lexues, aq më tepër kur jeton jashtë vendit është që në tregimet e kësaj “Antologjie të shpirtërave” takon personazhe të njohur gjatë jetës për të cilët mjaftoi ndryshimi i sistemit ekonomik dhe politik të vendit që të zbulonin tërësisht fytyrën e tyre, herë atë të dhimbshmen dhe tragjiken, herë fisniken dhe të madhërishmen por edhe atë të përçudnuarën, sikurse ndodh me tregimin “Unë, ai, Ani”, kur mëdyshja “Sokrat i vuajtur apo derr i kënaqur” ka përfunduar pa hezitim në anën e derrit dhe ka ndodhur ajo zhveshja tërësore nga ndjenjat më parësore dhe njëkohësisht më njerëzore, ajo e të qenit prind, papërgjegjësia e krijimit dhe ruajtjes së familjes dhe, me të drejtë, autori kërkon të na kujtojë dhe të na tërheqë vëmendjen edhe për këtë zvetënim të papranueshëm.
Do të thosha se Taip Sulko është shkrimtari, që me vullnet dhe me talent ndërthur më së miri realitetin me fantazinë. Tregimet e këtij libri, ”Antologjia e shpirtrave”, më kanë prekur shumë dhe me mendjen time, gjatë leximit më ka ndodhur që të kthehem mbrapa në kohë dhe të bëj paralelizma me jetën e familjes time. Më preku shumë historia e gjyshit në tregimin ”Eppur si muove” një rrëfim i ndjeshëm në të cilin më shumë se çdo gjë tjeter flet thjesht dhe me ndjenja "per un disegno di Dio". Gëzohem për faktin që në letërsinë shqiptare po hyn kjo mënyrë e të shkruarit.
Ndoshta nuk është e tepërt të nënvizoj se prejardhja e fjalës "talent" vjen nga gjuha hebraike dhe do të thotë edhe "peshë". Ajo, që dua të them në fund të këtyre shënimeve është se në krijimet e Taip Sulkos e kam ndjerë mjaftueshëm atë peshë të domosdoshme sa të shkojë tek fjala talent, dhunti për krijimin letrar. Libri lexohet me interes, të tërheq shumë, jo vetëm për faktin se autori ndërton një model letrar bindës, por edhe për mënyrën e të shkruarit, me stil të ngjeshur dhe larmi gjuhësore, të cilat e bëjnë atë të trokasë në portat e trashëgimisë më të mirë të prozës së shkurtër shqiptare.