E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbiemra si “Bare” i qëndrojnë besnikë Ramës

Besnik Bare nuk është burrë i keq sepse abuzon me monopolin e të vërtetës. Ai nuk është i Mirë sepse paragjykon qëllimisht a-priori. Atij si deputet socialist pa moral të qartë e të theksuar, i ngarkohet detyra për të bërë zhurmuesin në pikun e sezonit turistik. Të zhvlerësohet në kor tragjedie çdo shprehje pozitive e qeverisë “Berisha” është e padrejtë. Të gjithë e dinë se Edi Rama u ka dhënë atyre këtë mision që ata, për inerci mendore dhe me grafik në dorë, e zbatojnë me pasion. Dhe ky pasion sjell mosarsyen mbi çka thonë, sepse nuk mendojnë me kokën e tyre. I nderuari Besnik Bare, nuk është anti-shqiptare të thuash të vërtetën. Antishqiptare është që gjoja për hir të shqiptarizmës të gënjesh veten dhe të tjerët se qeveria është gjithmonë në faj. Dhe s’ka aspak rëndësi për Shqipërinë se kë gënjeni ju z. Bare, sepse rëndësi ka se në bazë të gënjeshtrës po filloni të bëni projekte revolucionare kur Rama të vijë ne Pushtet. Sot kjo është e pamundur, nesër nuk i dihet. Të presim.
Gjithsesi, është për të ardhur keq për lidershipin e Partisë Socialiste, që duke pasur këto mendime shkon për të bërë pushime në Macao të Kinës e pastaj në Los Anxheles, të Amerikës. Ish-grevisti i urisë së kutive Bare, i cili nuk është kushëri i drejtpërdrejtë i Aldo Bares, kuptohet vetiu se bën detyrën e daljes nëpër konferenca për shtyp duke trilluar se nuk ka “boom” turistik. Mirëpo mjafton të shkosh përgjatë resorteve të bregdetit të bukur shqiptar për të parë tejmbushjen me qytetarë pushues. Mjafton të shkoni në luginën e mrekullueshme të Valbonës për të kuptuar trafikun e makinave plot me pushues të huaj dhe shqiptarë. Të shikosh këto bukuri që shijohen prej pushuesve të bën të kuptosh se në këtë vend punohet dhe ndërtohet e ardhmja e fëmijëve tanë.
Shqipëria ka ecur dhe ka për të ecur përpara në sektorin e turizmit, sepse natyra dhe perëndia i ka falur asaj gjithçka, përveç mendimeve pozitive të një pjese të opozitës socialiste, që janë mbyllur në furrikun socialist, pas Bankës së Shqipërisë. Natyrisht turizmi shqiptar me probleme dhe sakrifica fatkeqësisht detyrohet të përballet me elementë disfatistë si puna e Besnikut të Ramës, Bare.
Përtej spekulimeve socialiste, industria e Turizmit e justifikoi pritshmërinë pozitive të tregut të ofertës shqiptare për të kaluar pushimet në Shqipëri.
Pritshmëria mbi turizmin si lokomotivë e hallkave ekonomikë i jep asaj timonin e ekonomisë shqiptare, pasi ka potencial për të kontribuar rëndësishëm në GDP-në e vendit.
Nëse ne vlerësojmë sot me realizëm, pa ekzaltim dhe pa justifikime, turizmi prodhon pasuri për thesarin e shtetit shqiptar. Turistët e Kosovës, apo shqiptarët e Maqedonisë, nuk paguajnë me patriotizëm, por me euro. Ata janë sot, baza më solide e turizmit në Shqipëri dhe një fat shumë i madh për ne. E vërteta është se në këtë vërshim masiv të turistëve drejt Shqipërisë ka një seri faktorësh pozitivë, por ndër më themelorët është infrastruktura. Investimet në infrastrukturë janë bërë përcaktuese në këtë zhvillim të madh e të shpejtë të turizmit.
Natyrisht, ndërtimi i rrugës Durrës–Kukës rezultoi magjik për joshjen e shqiptarëve të Kosovës drejt bregdetit shqiptar. Pikërisht për hir të saj, Shqipëria duhet të synojë një turizëm 12-mujor, duke ofruar temperaturat e këndshme të dimrit në kontrast me ato të acartat e Kosovës. Për këtë nevojitet një fushatë e plotë publicitare dhe një punë shumë më e madhe nga bashkitë bregdetare, gjatë gjithë vitit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›