E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashëgimia e Ahtisaarit

Finlandezët kanë lënë gjurmë në Ballkanin Perëndimor ashtu sikur që Ballkani Perëndimor ka lënë gjurmë te finlandezët. Libri "Trashëgimia e Ahtisaarit - Finlanda dhe Ballkani Perëndimor 1992-2008" e përshkruan këtë marrëdhënie të dyanshme

Që nga viti 1956, Finlanda në mënyrë aktive ka marrë pjesë në misionet paqeruajtëse të OKB-së. Sot e kësaj dite, misioni i KFOR-it në Kosovë është misioni më i madh, në të cilin Finlanda është angazhuar. Për angazhimet e Finlandës për paqeruajtjen dhe zhvillimin në Ballkanin Perëndimor, e posaçërisht në Kosovë, mund të lexohet në librin e sapopërkthyer në gjuhën shqipe, "Trashëgimia e Ahtisaarit - Finlanda dhe Ballkani Perëndimor 1992-2008". Përmbledhësit e librit janë Jyrki Karvinen dhe Nina Suomalainen, ndërsa origjinali i tij u publikua në Finlandë në kohën e shpërblimit të ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari me çmimin Nobel për Paqe, në vitin 2008. Përpos presidentit Ahtisaari, libri i ri përmban artikuj të veprimtarëve të tjerë finlandezë me ndikim në Ballkan. Këta janë Olli Rehn, komisioner për çështje ekonomike dhe monetare të BE-së; Arto Räty, ish-komandant i KFOR-it finlandez; Osmo Lipponen, ish shef i misionit të OSBE-së në Shqipëri, dhe Helena Ranta, dentiste ligjore, e cila ka hetuar varreza masive në Kosovë. Përmbledhësit me këtë libër duan të ngjallin diskutim për rolin e bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht për rolin e BE-së, në stabilizimin dhe zhvillimin e Ballkanit. Autorët as nuk kursejnë kritikë ndaj veprimtarëve vendas, as ndaj organizatave ndërkombëtare. Në tekstin prezantues në kopertinën e librit thuhet se që nga fillimi i viteve të 1990-ta, veprimtarët finlandezë kanë ndikuar dukshëm në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Veprimi i tyre përfshin periudhën që nga shpërbërja e Jugosllavisë deri në zgjidhjen e statusit të Kosovës në vitin 2008. “Gjatë pothuajse 20 viteve, finlandezët, ndër ta Martti Ahtisaari, Elisabeth Rehn, Harri Holkeri, Helena Ranta dhe shumë të tjerë, në Ballkanin Perëndimor kanë ushtruar detyra të shefave, të ekspertëve dhe të paqeruajtësve, duke e përfaqësuar Finlandën, BE-në, OKB-në, NATO-n dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, shkruan në kopertinën e librit. Në librin "Trashëgimia e Ahtisaarit. Finlanda dhe Ballkani Perëndimor 1992-2008" janë përmbledhur përshkrime për luftën, për paqen dhe për jetën në Ballkanin Perëndimor, shikuar nga këndvështrimi finlandez. Ballkani ka shërbyer si burim i përjetimeve të shumta. Me këtë libër bëhen përpjekje për të ngjallur diskutim për përgjegjësinë e bashkësisë ndërkombëtare për të reaguar në raste të konflikteve dhe të gjenocideve. Në libër shtrohet edhe pyetja se cili është roli i bashkësisë ndërkombëtare në rindërtim: a duhet të merren vendime, pa pjesëmarrjen e vetë vendeve në krizë, për të arritur rezultate të shpejta, apo a nevojitet vetëm përkrahja ndaj vendeve në konflikt në proceset e tyre për stabilizim? Ballkani Perëndimor do të mbetet tema e mediave. Pyetja për përgjegjësinë e Evropës për ruajtjen e stabilitetit vazhdon të mbetet aktuale në kohën kur vendet e Ballkanit Perëndimor po i afrohen Bashkimit Evropian, duke synuar anëtarësimin në të. Libri "Trashëgimia e Ahtisaarit" është një nga librat e rrallë të përkthyer nga gjuha finlandeze në gjuhën shqipe. Të njëjtit përkthyes, Eset Feka dhe Tuula Nevala, para këtij libri e kanë publikuar edhe librin e presidentit Ahtisaari "Detyra në Beograd", i cili merret me negociatat për paqe në Kosovë në vitin 1999. Libri i ri, "Trashëgimia e Ahtisaarit", i pasqyron posaçërisht ngjarjet e dekadës së fundit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Libri është botuar nga ndërmarrja ‘Nevala Tuula’, ndërsa promovimi i tij organizohet në Ambasadën Finlandeze në Prishtinë më 16 gusht.
“Express

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›