E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbijetesa e rrezikshme e Dritan Priftit

Share

Nga Mero Baze

Dy ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme e vendit u përfshi në një polemikë publike me Berishën, pas shantazheve që ai kishte bërë në gazetën RD, rreth një letre që Dritan Prifti i ka drejtuar institucionit të saj për siguri fizike dhe hetim të kërcënimeve me vdekje. Kryeprokurorja, ndaj së cilës nuk u kursye as kujtesa se mund të burgoset në të ardhmen, reagoi me dinjitet, pa shumë emocione, duke i treguar vendin Berishës.

Por, llumi haluçinant i kërcënimeve të Berishës, e tejkalonte zyrën e saj. Ajo që ka rëndësi në gjithë këtë histori nuk janë shantazhet banale, por fakti që Berisha me gazetën e tij kërcënon Presidentin, Kryeprokuroren, liderin e opozitës, me faktin se i ka përgjuar. Nuk ka shumë rëndësi çfarë ka përgjuar, jetën e tyre private apo orarin zyrtar, por fakti që pranon se i ka përgjuar, është jo vetëm i dënueshëm, por në këtë rast dhe i frikshëm për natyrën e shtetit, pasi është dëshmia e parë që Berisha na jep për ” shtetin paralel” që ka brenda institucioneve të shtetit shqiptar.

Historia zë fill me Dritan Priftin, njeriun që denoncoi një traditë korruptive të pushtetit, përmes regjistrimit në zyrën e tij, të një bisede me zëvendëskryeministrin Ilir Meta. Suksesi publik i asaj historie dhe dërrmimi i imazhit të pushtetit, nuk erdhi nga fakti që ishte përgjim, por që ishte regjistrim i një praktike të pashembullt qeverisje. Regjistrimi i një ngjarjeje për t’u pasur si forcim dëshmie, është kryekëput i ndryshëm nga përgjimi përmes strukturave paralele të shtetit.

Pasi mbyllën me mjete të shëmtuara procesin gjyqësor, por të impresionuar nga humbja e betejës publike, tashmë Berisha dhe Meta mendojnë se kanë zbuluar magjinë që u shkatërroi atyre imazhin dhe kanë nisur një fushatë shantazhi  dhe kërcënimesh ndaj gjithkujt që nuk ishte në anën e tyre në atë histori të shëmtuar. Por, nëse Presidenti ka ende imunitet ligjor, kryeprokurorja ka ende mekanizma ligjor të mbrohet, askush nuk jep asnjë mesazh sigurie se jeta e Dritan Priftit do të sigurohet. Unë nuk po flas çfarë ka bërë mirë dhe keq ai në këtë histori, por po flas për faktin se ai është realisht i prekshëm në këtë moment.

Guximi i Arqile Gores, Drejtorit të Postave, për t’i hapur letrat e tij dhe për tia dërguar Berishës para kryeprokurores, guximi i pushtetit për të marrë videot të cilat janë në hetim, për t’i montuar në studiot e pushtetit dhe mbi të gjitha deklarata se ai është përgjuar 187 orë pa ndonjë leje zyrtare, janë të frikshme për standardet e një vendi të lirë.

Mbi të gjitha, Dritan Prifti ka një rrezik real për jetën, rrezikun e dëshmitarëve që përpiqen të mbijetojnë të vetëm, përmes hipotekave të dëshmive të tyre, ende të pathëna. Mendoj se kjo është e rrezikshme. Një javë para se të shkonte “i vetëm për gjah”,  Kosta Trebicken e kam takuar në Hotel Rogner, dhe e kam qortuar për faktin që historinë e takimit të Diverolit me njerëzit e Berishës në një shtëpi pa adresë, që i ngjan apartamentit të vjetër të Berishës, e tregonte përgjysmë dhe linte të kuptonte se do ta tregonte dikur të plotë. Sekrete të tilla janë sekrete që të vrasin, janë sekrete që nuk i përballon dot një person i vetëm, qoftë si dëshmitar, qoftë si denoncues. Ato përballohen kur bëhen publike.

Kosta nuk ishte gjallë një javë më pas dhe Sali Berisha doli publikisht e lavdëroi që ai nuk e denoncoi djalin e tij dhe se ishte korrekt në ato që tha. Sa ishte gjallë i kishte thënë gjithë të zezat. I njëjti njeri nuk po flet vet, me gojën e tij për Dritan Priftin dhe kjo më tremb. Shkruan duke u diktuar në telefon gazetarëve të RD-së shkrime aluçinante për letra të përgjuara, kafene të përgjuara, zyra të përgjuara, por publikisht nuk flet.

Edhe pse nuk dua  të tremb Dritan Priftin, e marr seriozisht si një moment të rrezikshëm, kur ai përgatitet të flasë mirë nëse ndodh diçka fatale. Uroj që kjo të mos ndodhë, por shpesh herë, ne si shoqëri i kushtojmë më shumë rëndësi dëshmitarëve të tillë kur nuk janë më, se sa kur janë të rrezikuar.

Dritan Prifti mund të pësojë dhe ndonjë aksident, mund të jetë vërtet dhe i sëmurë dhe t’i komplikohet shëndeti, por të gjithë ne do të mendojmë më të keqen dhe shoqëria do bëhet më e heshtur, ndërsa Shqipëria më e frikshme. Për këtë arsye, mendoj se ai ka nevojë vërtet ta ndjejë se është qytetar i këtij vendi dhe jo një i rënë nga avioni në xhunglën vrasëse të Sali Berishës. Shteti dhe jo pushteti, duhet të sigurojë se ai ka të drejtë të jetojë normalisht në këtë vend.

Është cinike që dëshmitë e tij si person kyç që formoi koalicionin Berisha- Meta, të kthehen në rrezik për jetën e tij dhe arsye për të qeverisur më tej, ata që janë bërë bashkë, nga vota e dikurshme  e këtij njeriu.

Realisht denoncimet e tij rezultuan të vërteta. Ai denoncoi i pari skandalin e naftës virgine dhe ne kemi sot një proces të tërë gjyqësor, që po sabotohet nga pushteti, për shkak të tij. Po ashtu, gjyqi ndaj Ilir Metës shkoi deri tek një pretence për arrestim. Kjo e bën atë një denoncues real, edhe pse në këto raste palët ndahen rreth përgjegjësive të një politikani në pushtet.

Mënyra se si pushteti po hakmerret ndaj tij, por sidomos mënyra se si pushteti po i kundërvihet institucioneve te shtetit shqiptar, për shkak te tij, do ta bëjë Shqipërinë më të frikshme, më të pajetueshme dhe më vrasëse për qytetarët e saj. Dhe, nëse paralajmërimet për vrasje, larg qoftë rezultojnë të suksesshme, kanë për ta bërë këtë vend dhe më hipokrit, pasi ne do të shikojmë Sali Berishën duke shprehur ngushëllime dhe duke theksuar se edhe ” ky” si të tjerët, nuk denoncoi asgjë për mua apo familjen time.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›