Zoti dhe shenjtorët
Të dielën e kaluar, shkri mi im i përjavshëm pati si pikënisje një proverb frëng. Shpresoj që lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës nuk do të më mbajë gjatë mëri nëse unë e nis edhe këtë shkrim me një proverb frëng. (I premtoj atij që javën e ardhshme nuk do ta përsëris një gjë të tillë.) Pra, e kam fjalën për proverbin frëng Il vaut mieux sadresser à Dieu quà ses saints. (Më mirë drejtoju Zotit sesa shenjtorëve.) Në pamje të parë, duket se kështu duhet të jetë jo vetëm për frëngjtë, por edhe për popujt e tjerë si shqiptarët, për shembull: në Shqipërinë e dikurshme, por edhe në atë të sotmen e, me shumë gjasë, edhe në atë të nesërmen, njeriu besimtar, pavarësisht nga lloji i fesë që ka përqafuar, përqafon e do të përqafojë, i është lutur, i lutet dhe do ti lutet Zotit ta ndihmojë, ta mbrojë, ta gëzojë e ta begatojë, dhe unë skam dëgjuar njeri ti lutet ndonjë shenjtori, ndonëse edhe kjo mund të ndodhë, veçse ma do mendja rrallë e më rrallë në ditët e sotme të ngarkuara me llojlloj besimesh, mosbesimesh, pseudobesimesh e kundërbesimesh. Përse kështu? Thjesht fare sepse, sipas tyre, Zoti është i plotfuqishëm e i kudondodhur, kurse shenjtorët kanë qenë njerëz, të veçantë, sigurisht, por njerëz gjithsesi. Në Shqipërinë komuniste, sidomos duke nisur nga viti 1967, kur u ndalua me ligj çdo kult e praktikë fetare, kur u rrafshuan apo u përçudnuan xhamitë, kishat e teqetë, kur Zoti dhe shenjtorët e të katër feve u përzunë nga realiteti shqiptar i asaj kohe, proverbi Më mirë drejtoju Zotit sesa shenjtorëve ishte aktual sepse Enver Hoxha e bëri veten Zot, kurse anëtarët e Byrosë Politike të KQ-së të PPSH-së e panë veten në pozitat e shenjtorëve (anipse, herë pas here, disa prej tyre shoku Zoti Enver i ndëshkonte duke i zbritur nga parajsa në ferr me ashensorin e tmerrshëm të deklasim- burgim-internim-pushkatimit). Çuditërisht, ky proverb funksiononte me pole të përmbysura, pra, në trajtën Më mirë drejtoju shenjtorëve sesa Zotit kur bëhej fjalë për një sërë nivelesh të shoqërisë shqiptare si titullarët e ministrive, drejtorët e uzinave, fabrikave e fermave, rektorët e universiteteve, krerët e institucioneve kulturore dhe kryetarët e kooperativave: kështu, nëse dikush pa pikë rëndësie në shkallën e hierarkisë partiake apo shtetërore kishte një hall të cilin nuk ia zgjidhte njeri, po tua gjente anën shenjtorëve, mund të arrinte diçka më lehtë sesa po të orvatej ti drejtohet personalisht Zotit me shkrim, se me gojë kjo ishte praktikisht e pamundur dhe vështirësisht e përfytyrueshme. (Sigurisht, Zoti pretendonte se i lexonte letrat nga populli, por, në fakt, ai lexonte vetëm përmbledhjet që u bënin atyre sekretarët e tij, që, në fund të fundit, njëfarë specie shenjtorësh ishin edhe ata.) Interesant më duket fakti që në kategorinë e shenjtorëve mund të bënin pjesë (çfarë paradoksi!) edhe individë të besuar nga personeli i shërbimit të shenjtorëve, si shoferi, berberi apo bojaxhiu, të cilët, krejt natyrshëm, kishin konfidencë me zotin e tyre. Do të isha kureshtar të dija si funksionon proverbi ynë sot, njëzet e ca vjet pas shembjes së regjimit komunist dhe zëvendësimit të tij me një regjim gati-gati demokratik. Kur dikush prej nesh, unë apo ti, i dashur lexuesi im besnik, ai apo ajo, nga populli i thjeshtë, ka një hall apo problem madhor, të cilit nuk i gjen dot zgjidhje, kujt parapëlqen ti drejtohet, Zotit apo shenjtorëve, d.m.th. vetë Presidentit të Republikës apo vartësve të tij, vetë Kryeministrit apo ministrave të tij, vetë ministrave apo zëvendësve të tyre, vetë kryetarëve të gjykatave dhe prokurorëve të të gjitha niveleve apo ndihmësve të tyre, si edhe mjekëve, dentistëve, masazhistëve, rojeve, shoferëve, berberëve, parukiereve, hidraulikëve, elektricistëve, bojaxhinjve, pastrueseve, bejbisitërve etj., etj., që u shërbejnë atyre me përkushtim?
