Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së: Centrifugat në kompleksin bërthamor të Iranit janë dëmtuar, por s’ka rrezik

Mbikëqyrja bërthamore e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se funksioni i centrifugave në kompleksin kërkimor bërthamor të Iranit në Isfahan është dëmtuar nga sulmet izraelite, por nuk ekziston rreziku i rrjedhjes së materialeve të rrezikshme.
Në një përditësim të postuar në faqen e internetit të IAEA-s, Drejtori i Përgjithshëm Rafael Grossi tha se objekti ka qenë më parë nën monitorimin e IAEA-s si pjesë e Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit, të marrëveshjes bërthamore të arritur midis Iranit dhe fuqive botërore në 2015.
“Ne e njohim mirë këtë objekt. Nuk kishte asnjë material bërthamor në këtë vend dhe për këtë arsye sulmi ndaj tij nuk do të ketë pasoja radiologjike” tha Grossi.
Më herët sot, zëvendësguvernatori provincial i Isfahanit u citua nga agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars duke thënë se sulmet ajrore izraelite më herët gjatë ditës kishin shënjestruar kompleksin më të madh të kërkimit bërthamor të Iranit.
Ndërkaq, më herët Izraeli ka bërë të ditur se ka penguar krijimin e armës bërthamore nga Irani të paktën për 2 vitet e fundit.
Nga ana e tij Izraeli thekson se forca e tij ajrore kishte filluar sulmet ajrore ndaj depozitimit të raketave në Iranin qendror, një valë sulmesh që sipas Tel Avivit kanë për qëllim parandalimin e Iranit nga zhvillimi i armëve bërthamore — një ambicie që Teherani ka mohuar.
“Sipas vlerësimeve të deritanishme, ne tashmë kemi vonuar për të paktën dy ose tre vjet mundësinë që ata të kenë një bombë bërthamore”, tha ministri i Jashtëm i Izraelit Gideon Saar në një intervistë për mediat izraelite.
Saar tha se sulmi javor i Izraelit do të vazhdojë.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mund të bëjmë atje për të shuar kërcënimin” i tha ai gazetës gjermane Bild.
Qëndrimi i Tel Avivit vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Teherani ka maksimumi “dy javë kohë për të shmangur sulmet e mundshme ajrore amerikane”.
/rtsh.al/