Mbikëqyrësi i Gërdecit nën akuzë për "vrasje masive"
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Për-gjithshme ngriti akuzë zyrtare për vrasje masive ndaj ish-mbikëqyrësit të ndërmarrjes MEICO në Gërdec Sokol Gjeçi. Zyrtari që ishte ngarkuar të ushtronte kontrolle për zbatimin e rregullave të sigurisë në fabrikën e demontimit të municioneve, i arrestuar tri ditë më parë, është marrë i pandehur edhe për veprat penale "shkatërrim prone" dhe "shpërdorim detyre në bashkëpunim". Me akuzat për kryerjen e këtyre veprave penale që lidhen me tragjedinë që shkaktoi 26 të vdekur, ish-supervizori i ndërmarrjes MEICO dhe Ministrisë së Mbrojtjes në Gërdec, pritet të dalë sot para Gjykatës së Tiranës, për verifikimin e masës së sigurisë ndaj tij. Vendimi për "arrest me burg" është firmosur nga gjykata që të premten e javës që shkoi në mungesë të Sokol Gjeçit, ndërsa pas ekzekutimit të urdhër-arrestimit ndaj tij, pritet që gjykata të verifikojë formalisht procedurën e ndalimit. Burimet nga Prokuroria thanë se në fashikullin e dosjes "Gërdeci" gjenden prova të shumta që fajësojnë ish-mbikëqyrësin e ndërmarrjes shtetërore të Import-Eksportit të Armëve. I pandehuri megjithatë nuk i ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij. Prokuroria dyshon se ai ishte caktuar formalisht si mbikëqyrës pasi në rrugë informale ka pasur "presione" nga ish-shefi i tij Ylli Pinari, drejtor i MEICO dhe nga pronari i fabrikës së çmontimit Mihal Delijorgji, që të "mbyllte sytë" për shkeljen e rregullave të sigurisë teknike gjatë çmontimit të municioneve në punishten e ngritur në Gërdec. Për shkak se kuadri ligjor kërkonte që ndërmarrja MEICO të ngrinte struktura që do të verifikonin nga afër zbatimin e kushteve të sigurisë pasi demontimi ishte me rrezik, mësohet se Ylli Pinari kishte caktuar Sokol Gjeçin, në mënyrë që të paktën nga ana ligjore e dokumentare gjithçka të ishte në rregull. Ajo që ka ndodhur në realitet duket se ka qenë e kundërta për shkak se mbikëqyrësi nuk e ka ushtruar funksionin e tij edhe pse në letra shkruhej se ai kishte të drejtë të kontrollonte punishten e Gërdecit në çdo kohë. I pandehuri Gjeçi mësohet se është justifikuar duke thënë se disa herë nuk është lejuar të hynte në fabrikën e çmontimit për të parë nga afër kushtet e punës. Strukturat e ushtrisë kanë hedhur fajin ndërkaq mbi Gjeçin dhe ndërmarrjen MEICO, duke thënë se kjo e fundit kishte nënshkruar kontratat me subjektin që kryente demontimin dhe se pjesë e marrëveshjeve kishte qenë edhe caktimi i mbikë-qyrësit dhe monitorimi "i rreptë" për zbatimin e parametrave teknikë dhe marrjen e masave me qëllim shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme e cila ndodhi më 15 mars 2008.
Pinari e Delijorgji njihen me provat e akuzës
TIRANE - Prokurorët e dosjes "Gërdeci" përfunduan dje procesin e komunikimit të akuzave dhe provave për tre të arrestuarit e parë si shkaktarë të ngjarjes së rëndë të ndodhur një vit më parë në Gërdec të Vorës. Ish-drejtori i MEICO Ylli Pinari, biznesmeni i hekurit Mihal Delijorgji dhe i punësuari prej tij në Gërdec, Dritan Minxolli, kanë firmosur dje në qelitë e paraburgimit 313 në Tiranë, procesverbalet e marrjes së dijenisë për provat penale mbi të cilat janë bazuar akuzat e ngritura ndaj tyre. Ky veprim hetimor, rutinë është kryer gjatë dy ditëve të fundit për shkak se volumi i provave që u janë njoftuar të pandehurve ka qenë i madh. Për këtë shkak, grupit të hetimit i janë dashur dy ditë për të ballafaquar të pandehurit me faktet e mbledhura kundër tyre, para se dosja penale të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë me mbi 30 të pandehur, mes të cilëve edhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe katër gjeneralë të ushtrisë. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se në komunikimin e tyre të fundit me organin e hetimit, Pinari, Delijorgji dhe Minxolli kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave që janë ngritur ndaj tyre. Prokurorët që hetuan tragjedinë, tashmë pritet që të takohen në sallën e gjyqit me tre të arrestuarit. Ish-zyrtari i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari u arrestua së bashku me pronarin e fabrikës së demontimit Mihal Delijorgji dhe me drejtorin e punishtes Dritan Minxolli, më 18 mars 2008. Ata u akuzuan fillimisht për shkelje të rregullave të sigurisë mbi lëndët plasëse dhe radioaktive, por më pas pozita e tyre penale u rëndua. Ylli Pinari i akuzua edhe për "shpërdorim detyre" dhe "vrasje masive", ndërsa kjo akuzë u ngrit edhe ndaj të arrestuarve të tjerë të cilëve iu faturua edhe kryerja e veprës penale "shkatërrim prone". Prej ditës së sotme të arrestuarve për tragjedinë pritet t'u bashkohet në qeli edhe ish-mbikëqyrësi i ndërmarrjes MEICO në Gërdec, Sokol Gjeçi ndaj të cilit është vendosur mbajtja në qeli deri në përfundim të hetimeve për shkak të rrezikshmërisë së akuzave penale që janë ngritur në adresë të tij. Mbi 28 persona të tjerë hetohen ende në gjendje të lirë për akuzat "shpërdorim detyre", pasi me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë "lejuar" ardhjen e pasojave që shkaktoi tragjedia e 15 marsit 2008. tr.so