E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 47 makina luksoze të grabitura në vendet e BE

 

Etleva Delia

Një operacion i Antitrafiqeve dhe Interpolit ka kaluar në skaner 2655 automjete në të gjithë Shqipërinë, nga të cilat 47 kanë rezultuar të vjedhura në vendet e Bashkimit Evropian. Mjetet e vjedhura janë bllokuar nga policia me qëllim kthimin e tyre në vendet e origjinës. Aksioni rajonal i shtrirë në disa vende të Ballkanit, ka nisur edhe në Shqipëri nga data 2 mars, në kuadër të operacionit ndërkombëtar "Credit Car", për goditjen e trafikut të makinave të vjedhura. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë tha dje se aksioni është zhvilluar në koordinim të plotë me policitë homologe të qendrës ndërkombëtare SECI, si dhe me verifikimin e Interpolit. Operacioni i zhvilluar në 9 qytetet kryesore të vendit, Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Fier, Gjirokastër, Lezhë, Elbasan dhe Berat, ka bërë të mundur që brenda 3 ditësh, të kontrollojë dokumentacionin e një numri rekord makinash, të cilat ishin të dyshuara si të vjedhura në vende të ndryshme të Evropës.
MAKINAT E BLLOKUARA
Operacioni i përbashkët i disa strukturave të veçanta të policisë shqiptare, për bllokimin e makinave të vjedhura ka nisur në pikat e kalimit kufitar për të zbuluar formën e mashtrimit të trafikimit të makinave të blera me kredi, makinave të marra me qira dhe mashtrimit me siguracione. Ky operacion u fokusua gjithashtu edhe në kontrollin e autostradave e rrugëve në zonat më të ndjeshme të qyteteve, si dhe në kontrollin e tregjeve të makinave të përdorura. Koordinimi i veprimeve kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë zhvillimit të këtij operacioni u krye nga grupi i punës i ngritur në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit. Pas bllokimit të 47 automjeteve, Interpol-Tirana, në bashkëpunim me zyrat e Interpolit në vendet e BE-së, verifikoi edhe vendet nga ku dyshohet se janë vjedhur këto makina dhe janë trafikuar për në Shqipëri. Sipas një njoftimi për shtyp nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, bëhet e ditur se automjetet e bllokuara nga policia, kryesisht të tipit të fundit, kanë rezultuar të vjedhura në vende të ndryshme të rajonit dhe të Bashkimit Evropian si, Itali, Gjermani, Norvegji, Francë, Belgjikë, Zvicër, Republikën Çeke, Bullgari, Serbi dhe Rusi. Sipas njoftimit bëhet e ditur se në Tiranë janë bllokuar 23 makina, në Durrës 8, në Lezhë 4, në Fier dhe në Vlorë nga 3, në Elbasan një dhe nga një makinë në Shkodër, Berat dhe Gjirokastër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›