E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mbillen rreth 300 fidanë pishe në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta iu shtuan në fundjavë edhe 300 fidanë pishe.

Aksioni për mbjelljen e 300 fidanëve u zhvillua nga stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura Fier dhe vullnetarë nga shoqëria civile të ardhur nga Tirana dhe Durrësi.

Përveç mbjelljes së pemëve pjesëmarrësit vëzhguan edhe zogjtë (birdwatching), për t’u njohur kështu nga afër me shpendët e bukur të parkut.

Në zonat e mbrojtura në vend vitet e fundit vijon shtimi i sipërfaqeve të pyllëzuara me pemë të reja. Këto zona janë një pasuri me vlerë të çmuar jo vetëm për habitatin natyror, por edhe për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë së vendit.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është kompleksi ligatinor më i madh në Shqipëri, ku Laguna e Karavastasë, është një nga më të mëdhatë në Detin Mesdhe, e njohur si një ligatinë me rëndësi të lartë në nivel ndërkombëtar nga Konventa Ramsar (1994).

Laguna e Karavastasë është e mirënjohur për koloninë e saj të species së rrezikuar botërore të pelikanit dalmat (Pelecanus crispus). Prania e këtyre shpendëve është edhe një nga arsyet kryesore që laguna e Karavastasë është përcaktuar si Zonë Ramsar e Rëndësisë Ndërkombëtare.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një vend i rëndësishëm për faunën ujore dhe luan rol të rëndësishëm në ekonominë e peshkatarëve vendas.

Peizazhi mahnitës është një nga karakteristikat spikatëse të këtij parku, të cilat ndikojnë pozitivisht në ekonominë vendase dhe si portë për zhvillimin e turizmit.

Zhvillimi dhe promovimi i produktit të turizmit është veçanërisht i rëndësishëm kur bëhet fjalë për parqet kombëtare, pasi ato kanë potencial të madh për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, të aventurës dhe komponentët e tij kulturorë. Pikërisht një prej tyre është edhe Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta.

1 nga 4

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›