Mbivendosja e tokave, masakrohet Dajti, batërdi në Farkë
Zbardhet raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për hipotekimin
Habjon Hasani
Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka hedhur dritë lidhur me abuzime të rënda të bëra në disa komuna të vendit gjatë viteve 2005-2007, ndërkohë që është kërkuar ndjekje penale për katër punonjës së zyrave të regjistrimit në kryeqytet. Në listën e gjatë të bashkive dhe komunave spikat sidomos ajo e Dajtit, ku duket se falsifikimet, mbivendosjet dhe tjetërsimi i pronës është kryer me firma dhe me vula shtetërore në dy vitet e fundit, duke e thelluar edhe më shumë këtë problematikë të viteve të tranzicionit. Sipas këtij raporti, në komunën e Dajtit në Tiranë janë konstatuar raste për një sipërfaqe 323 mijë e 490 metra katrorë në zonat kadastrale Linzë, Lanabregas, Priskë e Madhe, të kryer me vendim të ish-Komisionit të Kthimit të Pronave, ku vërtetësia e pronës së pretenduar nga subjekti i shpronësuar rezultoi se është mbështetur në dokumente të falsifikuara. Gjithashtu rezulton se për një tjetër sipërfaqe 672 mijë e 240 metra katrorë janë bërë regjistrime për subjekte të cilat nuk kanë paraqitur dokumente të pretendimit dhe vërtetimit të pronësisë sipas kritereve ligjore për aktin kadastral.
Dajti
Komuna e Dajtit duket se ka pasur një aktivitet vërtet të ngjeshur me abuzimin dhe përfitimet e paligjshme të qindra hektarëve tokë. Të dhënat dhe dokumentet e Kontrollit të Lartë të Shtetit flasin për një abuzim shumë të përqendruar të kësaj komune, sidomos në disa fshatra që po kthehen në zona me perspektivë turistike vitet e fundit. Të tillë janë fshatrat Lanabregas, Linzë etj. “Në zonën kadastrale 2460, fshati Linzë, është bërë regjistrimi fillestar i sipërfaqes prej 9 mijë e 100 metrash katrorë tokë “truall” brenda territorit ushtarak, dhe mbi këtë sipërfaqe të kthyer janë marrë gjithsej katër vendime për njohje, për kompensim prone në favor të trashëgimtarëve të ish-pronarëve të tjerë, duke krijuar mbivendosje pronash”, - konstaton raporti i KLSH-së, i cili zbardh se për të njëjtin truall zyrat e regjistrimit kishin njohur katër pronarë të ndryshëm. Në vijim të shkeljeve të komunës së Dajtit, KLSH-ja konstaton se “edhe në zonën kadastrale 2380 në Lanabregas janë konstatuar raste për një sipërfaqe 7680 metra katrorë “arë”, janë pajisur me certifikatë pronësie jo sipas Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), por sipas sipërfaqeve që disponon pronari”.
Farkë-Kashar
E njëjta histori ka ndodhur edhe me komunat e Farkës dhe të Kasharit. Në komunën e Farkës janë pajisur për 97 pasuri të ndryshme, me një sipërfaqe totale prej 416 mijë e 140 metrash katrorë disa pronarë me aktin e regjistrimit fillestar, edhe pse mungojnë të dhënat në arkivat e akteve të trashëguara të pronësisë. Në Komunën Kashar është regjistruar një sipërfaqe 1 mijë metra katrorë pa pasur dokumente ligjore, por vetëm me një vërtetim juridik të faktit për ndërtimin e një ndërtese me dy kate. Ndërkohë që në zonën kadastrale të fshatit Mëzes së komunës së Kasharit, është regjistruar një pikë karburanti pa leje dhe jashtë sipërfaqes së sheshit të ndërtimit, duke krijuar sërish një mbivendosje pronash.
BOX
Pronat, abuzime dhe në lagjet kryesore të Tiranës
Abuzimet dhe shkeljet ligjore me pronat janë vërejtur dhe në zonat më të populluara të Tiranës. “Në zonën kadastrale 8340 brenda territorit të uzinës ‘Dinamo’ është regjistruar një sipërfaqe 4 mijë e 605 metra katrorë ‘truall’, e kthyer nga ish-Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tiranë, nga ku rezultoi se kjo pasuri me këtë sipërfaqe i ishte shitur nga ish-pronarët me kontratë shitjeje, ish-administratës ushtarake italiane. Regjistrimi i kësaj sipërfaqeje nga ish-punonjësit e Zyrës së Regjistrimit i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 128 milionë lekësh. Ndërkohë që edhe në zonën kadastrale 8160 është regjistruar territori i ish-shkollës ‘Kosova’, me vendndodhje në Rrugën e Elbasanit, me një sipërfaqe prej 2 mijë e 468 metrash katrorë tokë ‘truall’, e kthyer nga ish-KKKP Tiranë, nga ku rezultoi se kjo pasuri me këtë sipërfaqe ka qenë e blerë nga ish-Bashkia e Tiranës për ndërtimin e ish-shkollës ‘Maria Pia Savoia’, në vitin 1942, gjithsej 2551 metra katrorë truall”, - shkruhet në raportin e KLSH-së.
Sërish për tokat dhe abuzimet brenda kryeqytetit, KLSH-ja ka konstatuar se në një tjetër zonë janë regjistruar dy godina me nga 11 kate, ku 3 kate janë mbi shtesë mbi lejen e miratuar nga Bashkia e Tiranës.
BOX
Raporti, Tatimet e Tiranës, abuzim 630 milionë lekë
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në punën e tij gjatë muajve të fundit, ka konstatuar shkelje dhe abuzime edhe në administratën tatimore të kryeqytetit. Abuzimet në Drejtorinë e Tatim-Taksave të Tiranës kapin vlerën e 630 milionë lekëve, dëm ky që sipas ekspertëve të KLSH-së, rëndon direkt në buxhetin e shtetit. Dëmi i konstatuar dhe shkeljet ligjore kanë lidhje me ligjin “Për procedurat tatimore”, me ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Tatimin mbi të ardhurat”, si dhe në udhëzimet respektive që shoqërojnë këto ligje. Vetëm nga moszbatimi i dispozitave ligjore në fuqi për TVSH-në, dëmi i shkaktuar ka rezultuar në vlerën 50 milionë lekë. Nga moszbatimi i dispozitave ligjore në fuqi për ligjin e “Tatimit mbi të ardhurat”, dëmi ekonomik është i konsiderueshëm dhe rezulton në shumën e 580 milionë lekëve. Lidhur me këtë ligj janë konstatuar abuzime në deklarimin e të ardhurave më pak nga sa duhet nga subjekte të ndryshme, sidomos nga ato të eksporteve. Gjithashtu ka pasur dhe mosdeklarime ose deklarime të zvogëluara të tatimit në burim për subjekte të caktuara. Nisur nga këto shkelje KLSH-ja ka rekomanduar marrjen e 4 masave organizative, masa të tjera për zhdëmtimin e vlerës së 630 milionë lekëve dhe 14 masa disiplinore, ku për 14 punonjës të kësaj Drejtorie do të merret masa “largim nga Shërbimi Civil”. Gjithashtu KLSH-ja ka bërë edhe 5 kallëzime penale për drejtues dhe punonjës të kësaj administrate.
8 Korrik 2008