E Diel, 1 Nëntor 2026

Plasin skandalet financiare në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare

Projekt-raporti i KLSH-së rendit një sërë shkeljesh të drejtueses Elsa Meksi

Shaban Sulçe
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka nxjerrë me shkelje dhe abuzime të rënda financiare Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare. Ky projekt-raport i përgatitur më datë 20 maj 2008 ka nxjerrë në pah abuzime të shumta, për të cilat ngarkohet me përgjegjësi të drejtpërdrejtë drejtoresha e Shërbimeve Qeveritare, Elsa Meksi, që është gjithashtu edhe anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Shkeljet ligjore konstatohen në tre drejtime: në menaxhim, në tendera të paracaktuara dhe abuzimet me “blerjet e vogla”. Për këto të fundit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare është i vetmi institucion, i cili ka fond limit prej 2 milionë lekësh për blerjen e një artikulli të vetëm, ndërkohë që në institucionet e tjera shtetërore ky fond ka qenë vetëm 400 mijë lekë. Pikërisht duket se kjo “përkëdhelje” ka nxitur edhe abuzimet financiare nga titullarja e këtij institucioni. Gazeta “Albania” zbardh sot ekskluzivisht pjesë të projekt-raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në të cilin evidentohen të gjitha shkeljet ligjore të kryera nga ky institucion dhe drejtuesja e tij, Elsa Meksi.
Realizimi i investimeve
Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare rezulton të jetë një institucion që ka mangësi përsa i përket realizimit të investimeve për vitin 2007. “Investimet në DSHQ, në krahasim me vitet e kaluara, janë rritur ndjeshëm dhe kanë ndikuar në përmirësimin e gjendjes në disa objekte, ku nuk ishte investuar për mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin e domosdoshëm të tyre prej shumë vitesh. Në Pallatin e Brigadave, nga kontrollet e ushtruara në vitet e kaluara, nga ana jonë ishte rekomanduar që të rikonstruktoheshin me urgjencë tarraca dhe ulluqet e tij, sepse ishin dëmtuar rëndë disa inventarë me vlera historike.
Për vitin 2007, investimet janë programuar në bazë të projekt-programit të hartuar në vitin 2006, sipas kërkesave të paraqitura nga njësitë përkatëse.
Programimi dhe realizimi i investimeve paraqiten në tabelën përkrah.
Përshkrimi i objektit Programi Realizimi Ulja e fondeve
Rikonstruksion Vila Dajt 48,363,000 42,243,651 (6,119,349)
Vila nr.2 Pogradec 39,769,000 35,494,766 (4,274,234)
Vila nr. 4 e 5 Pogradec 44,909,000 42,909,000 (2,000,000)
Mobilim Vila nr.30 10,958,000 10,225,410 (732,590)
Rikon. tarraca Vila 30 2,927,000 2,040,666 (886,334)
Rikon.tarr P.Kongreseve 22,696,000 10,353,283 (12,342,717)
Rikon.tarr kaldaja P.Kongr 2,238,000 1,649,442 (588,558)
Sistemi i kondic. Vila 30 3,140,000 2,997,380 (142,620)
Totali 175,000,000 147,913,598 (27,086,402)
Siç del nga pasqyra e mësipërme, investimet e programuara në fillim të vitit, që ishin në vlerën 175 milionë lekë, në fakt janë realizuar në vlerën 147.9 milionë”, - thuhet në projekt-raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, përsa i përket çështjes së investimeve.

Buxheti suplementar

Tabela e buxhetit suplementar
Realizimi i buxhetit suplementar për vitin 2007
Përshkrimi i objekteve Programi Realizimi Diferencat
Studim-projekt Vila 1 Vlorë 3,000,000 1,792,800 (1,207,200)
Studim projekt Vila 31 Tiran 2,500,000 1,191,000 (1,309,000)
Mobilim vila Dajt 9,300,000 9,300,000 -
Rikons. muri Vila Velipojë 4,005,000 3,430,968 (574,032)
Totali 18,805,000 15,714,768 (3,090,232)

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur shkelje edhe përsa i përket Buxhetit Suplementar të vitit 2007. Në këtë pikë të raportit thuhet se sërish ka mangësi në realizimin e investimeve.
“Më shkresën nr. 5760/79, datë 04.09.2007, është dërguar nga Ministria e Financave, miratimi i buxhetit suplementar, sa më sipër. Siç del nga pasqyra e mësipërme, duhet të theksojmë se dhe për këto shtesa të miratuara, në dy studime, projektimet e Vilës 1 Vlorë dhe Vilës 31 në Tiranë, fondet e parashikuara janë sa dyfishi i atyre të realizuara në fakt, gjë që tregon se është punuar keq në drejtim të kalkulimit të shpenzimeve të nevojshme për hartimin e tyre”, - vijon raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare.

Këshilli Drejtues
Gjatë inspektimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për veprimtarinë e Këshillit Drejtues të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare janë gjetur shkelje procedurale nga ana e titullares Elsa Meksi. Projekt-raporti i KLSH-së thekson se drejtuesja e DSHQ-së nuk ka aftësi menaxhimi, sepse do të kryejë të gjitha punët që ka DSHQ-ja, duke penguar punonjësit të kryejnë detyrat e tyre funksionale sipas rregullores të firmosur nga ajo, duke krijuar probleme dhe me kompetencat e çdo njësie, kur detyra e saj është të drejtojë, të zbatojë dispozitat ligjore për zhvillimin e aktivitetit të veçantë të kësaj ndërmarrjeje, si dhe gjithë dispozitat e tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe administrimin e vlerave materiale e monetare e ligjin e prokurimeve.

“Nga kontrolli ushtruar në vendimet e Këshillit Drejtues, u vërejt se disa nga vendimet e marra janë të firmosura nga dy anëtarë të Këshillit Drejtues, kur në zbatim të Kreut II të Ligjit Nr. 7582, datë 13.07.1992 ‘Për ndërmarrjet shtetërore’ dhe në kundërshtim me nenin 6 të Rregullores të Këshillit Drejtues, duhet të firmoseshin të paktën nga tre anëtarë, nga 5 anëtarë që përbëhet Këshilli, dhe konkretisht: Në Vendimin nr. 20, datë 10.10.2006, pika 4, është vendosur: ‘Të miratojë strukturën dhe nivelin e pagave të nëpunësve dhe pagat bazë sipas klasave në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 371, datë 14.06.2006’, në fakt është firmosur vetëm nga kryetarja e Këshillit Drejtues, znj. Elsa Meksi dhe nga z. Mitro Nikolla, anëtar, pra nga dy anëtarë, tre anëtarë që ishin në momentin e miratimit të këtij vendimi, sepse dy anëtarë ishin larguar nga puna. Në përgjithësi vendimet e marra janë konform dispozitave ligjore në fuqi, por u vërejtën të meta e mangësi në këto drejtime: Procesverbalet e mbajtura në mbledhjet e Këshillit Drejtues në disa raste, në kundërshtim me nenin 22, të Ligjit nr. 7582, datë 13.07.1992 ‘Për ndërmarrjet shtetërore’ nuk janë të firmosura nga të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues, duke sjellë si pasojë dhe mosfirmosjen e vendimeve të KD dhe konkretisht: Duhet të theksoj se Këshilli Drejtues i DSHQ-së njoftimin për mbledhjet i ka bërë formalisht, duke përcaktuar disa pika të rendit të ditës, për të cilat nuk janë paraqitur dhe relacionet përkatëse. Për pasojë në to janë zhvilluar debate pa vlerë, duke ndikuar në mosvlerësimin sa duhet të problemeve të rëndësishme. Në disa raste kanë përfunduar në ofendime të rënda.
Në shumicën e rasteve procesverbalet e mbledhjeve nuk janë firmosur nga të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues prezent në mbledhje. Nga Këshilli Drejtues nuk janë marrë në analizë të gjitha auditimet e brendshme të kryera nga Njësia e Auditit pranë kësaj Drejtorie, megjithëse ato i janë dorëzuar drejtoreshës, njëkohësisht dhe kryetare e KD, duke krijuar premisa për abuzime në vazhdimësi në DSHQ, kur nga auditi i brendshëm ishin konstatuar dëme në vlera të mëdha.
Nisur nga debatet pa vlerë të bëra në dy mbledhjet e fundit, drejtoria e DSHQ-së i ka propozuar kryeministrit emërimin e Këshillit Drejtues me punonjës jashtë ndërmarrjes, kur si rregull, në zbatim të Ligjit nr. 7582, datë 13.07.1992 ‘Për ndërmarrjet shtetërore’ nenit 19, pika 3, thuhet: ‘Anëtarët e Këshillit Drejtues, si rregull, ushtrojnë edhe funksione drejtuese teknike në ndërmarrje’. Nga Këshilli i ri Drejtues janë marrë 3 vendime, të cilat janë marrë konform dispozitave ligjore. Për sa më sipër mbajnë përgjegjësi kryetarja e Këshillit Drejtues dhe anëtarët e këtij Këshilli, sipas periudhave, për të metat dhe mangësitë e trajtuara”, - thekson projekt-raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

8 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›