E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mbledhja e KE në qershor, Michel: Ftova udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria shumë afër BE

Sfidat, integrimi në BE, Ballkani i Hapur, dhe reformat, ishin disa nga çëshjet kryesore që janë diskutuar gjatë takimit të mbajtur mes Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel dhe Kryeministrit Edi Rama. Pas përfundimit të takimit, Michel dhe Rama kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp ku kanë vënë theksin te integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Michel bëri me dije se në takimin e Këshillit Europian që do të mbahet në muajin qershor, ka ftuar dhe udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Presidenti KE, theksoi se Shqipëria ka bërë hapa para në lidhje me integrimin në BE.

“Objektivi kryesor i imi është ti japim energji të reja procesit të integrimit që të zgjidhen vështirësitë. Ne të gjithë së bashku duhet të marrim një vendim të përbashkët. Në takimin e Këshillit Europian në qershor  ftova miqtë nga Ballkani Perëndimor që të tejkalojmë këto sfida dhe të fillojmë sa më shpejt negociatat. Është gjë e mirë që të bisedojmë për këtë ide, jo të gjejmë një justifikim tjetër, dhe ta shtyjmë. Të përfshijmë në nivel politik udhëheqësit që ti kemi të 27 udhëheqësit e BE në qershor. Po ju tregoj një sekret, para disa muajsh ishim në Suedi për aktivitet dhe shkëmbyem ide me njëri-tjetrin. Kryeministri më tha se sa e rëndësishme është të përfshijmë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor që ti kemi të gjithë. Po zbatojmë këtë qasje për të pritur për një vendim përfundimtar për anëtarësimin në BE. Një ide shumë pranë e këtij koncepti është e anëtarëve të asociuar. Ne dëshirojmë të kemi formatet e duhura që të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, të kuptojmë vështirësitë dhe si të kujdesemi. Të jemi konkretë dhe operacionalë, por e ritheksova mbështetjen time personale për Ballkanin Perëndimor”, tha Michel.

Nga ana e tij Kryeministri Rama  tha se Shqipëria është shumë afër Bashkimit Evropian. Ai theksoi se nuk do të ketë ndarje nga Maqedonia e Veriut teksa ka ende mundësi që Bullgaria të hapë rrugën dhe deri në një vendim të fundit të Këshillit Europian. Sipas tij, është momenti për të hedhur një hap më tej, për të afruar politikisht vendet e Ballkanit Perëndimor në tyrezat e Këshillit Evropian.

“Të hedhë një hap më tutje për ta afruar politikisht shumë më pranë Ballkanin Perëndimor, duke bërë një integrim të menjëhershëm në aspektin politik. Pra, të pjesëmarrjes së vendeve tona në tryezat evropian, në proceset e vendimmarrjeve që lidhen me sigurinë, përballimin e krizave etj. Të bashkëjetojmë si një komunitet i njëjtë. Të kemi edhe detyrime të njëjta. Ideja e anëtarit të asociuar të BE-së tha se është një ide që po merr mbështetje gjithmonë e më shumë. Unë e mbështes vizionin e Presidentit të Francës, por këtë Komunitetin e ri Politik në BE. Të gjithë të jenë të përfshirë dhe kështu sigurisht për sa na takon edhe më afër Bashkimit Evropian. Kjo do t’i jepte fund të gjitha spekulimeve dhe paranoja që BE po na mban aty larg. Ne nuk kërkojmë të ndahemi nga Maqedonia e Veriut përsa ka ende kohë që Bullgaria të hapë rrugën. Gjysmë milioni shqiptarë u shprehën dhe thanë se nëse edhe me përmbylljen e presidencës franceze kjo çështje nuk mbyllet, ne jemi në të drejtën tonë që të dalim nga rrezja e konflitit që Bullgaria i ka hapur Maqedonisë së Veriut. Isha dje në Berlin dhe kam pasur takime me të gjitha partitë politike në Bundestag dhe miti që Gjermania është kundër Ballkanit të Hapur është ushqim për konsum lokal, por Gjermania kërkon që Ballkani i Hapur të jetë gjithpërfshirës. Ballkani i Hapur është një nismë që synon jetësimin e të gjitha parimeve të lirisë së BE. Procesi i Berlinit që është si themeli i Ballkanit të Hapur, duhet ta implementojmë ne këtu. Ne jemi të hapur për të gjitha vendet që të vijnë të ulen dhe të biem dakord për ato që mund të biem dakord”, theksoi Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›