E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Operacioni i SPAK, Berisha: Një bllof i madh, u kapën ushtarët ndërsa “bosët” janë ende në arrati

Ish kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar një blof të madh operacionit e SPAK ku u lëshuan 32 urdhër-arrestesh. Në një konferencë për shtyp Berisha tha se operacioni ishte një disfatë pasi sipas tij u kapën vetëm ushtarët dhe se “bosët” janë ende në arrati pasi u njoftuan nga policia.

“Një blof i madh mbushi dje faqet e mediave digjitale e të shkruara dhe studiot televizive. Një operacion që ishte disfatë dhe që u shpall sukses i madh në të cilën nga 32 urdhër-arresti janë realizuar gjithsej 7-8 ushtarë, ndërsa bosët që të gjithë u larguan pasi u njoftuan në drejtime të pa ditura. Pse them unë u njoftuan? Nuk kam të dhëna që morën mesazhe, telefonata nga narko-policia apo institucione të tjera. Një të dhënë e kanë të gjithë shqiptarët. Disa ditë më parë, u bë publike se Dumani një vrasës serial është bërë i penduar. Në qoftë se Prokuroria dhe kushdo tjetër është i interesuar të gjej denkospirimin, ky është akti më madhor. Të gjithë ata të cilët e dinin se kishin bërë porosi te Dumani, apo Dumani dinte aferat e zeza të tyre, sigurisht që lehtë e lehtë, morën arratinë dhe u zhdukën”, tha Berisha.

Ish kryeministri Sali Berisha komentoi edhe procesin e zgjedhjes së Presidentit për të cilën tha se nuk e njohin pasi nuk mund të vendosin ata që janë të shkarkuar nga çdo funksion.

“Asnjë diskutim për emra nuk bëjmë jashtë procedurave të cilat i japin opozitës pozicionin e vërtetë që ajo duhet të ketë. Nuk mundet kurrë opozita të bëhet lodër në duart e maxhorancës. Ka një praktikë, edhe kur është zgjedhur Presidenti konsensual. Kur kemi diskutuar për presidentin nuk ka ardhur Gramoz Ruçi, por Edi Rama në takim. Nuk vendosin ata që nuk përfaqësojnë, që janë të shkarkuar nga çdo funksionet. Problemi është që ata s’kanë asnjë tager.

Një forcë e fuqishme politike nuk tërhiqet nga skenarë të tilla. Rama të vazhdojë rrugën, kjo është përgjigja. Nuk ka bojkot. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e një procedurë të bazuar në falsë-opozitë”, tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›