Mbledhja e KQZ-së, pritet shpallja e fituesit për Bashkinë Tiranë

Rezultati i Tiranës pritet të publikohet sot nga KQZ-ja, kjo pas rinumërimit të kutive të votimit të 11 njësive.
Administrata ka hartuar tashmë aktin, që përfshin në vetvete gjithë mbledhjen e votave të rinumëruara pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, në datë 13 qershor dhe shtimin e tyre në tabelën e rezultatit të përgjithshëm për kryetar Bashkie.
Në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, KQZ përgjatë 5 ditëve hapi 1793 kuti, që i përkisnin 368 qendrave të votimit në 11 KZAZ-të e kryeqytetit.
Pas verifikimit të votave të kontestuara rezultoi që kandidati demokrat Lulzim Basha, kryeson me 95 vota para rivalit të tij socialist, Edi Rama.
Përfaqësuesi ligjor i socialistëve Genci Gjonçaj akuzoi KQZ- në, duke thënë se Kodi Zgjedhor përcakton se e vetmja detyrë për këtë komision është shqyrtimi dhe shpallja e rezultateve dhe jo ndryshimi i rregullave në minutën e fundit. Më tej ai shtoi se edhe në shqyrtimin e kutive me fletët e kontestuara apo të hedhura gabim, janë gjetur dhe vërejtur më shumë vota se sa votues, dhe se procedura e ndjekur nga KQZ është deformuese dhe se u ndryshua rezultati në tavolinë.
Nga ana e tij përfaqësuesi demokrat në këtë komision Njazi Kosovrasti deklaroi se nga të gjitha hallkat e ndjekura nga ky komision, rezultoi se diferenca është e qartë me 95 vota dhe se kutitë e dëmtuara janë bërë nga pakujdesia.