Mbledhja e Kushtetueses prej orës 11:00, pritet vendimi për Ballukun

Gjykata Kushtetuese vijon mbledhjen e saj prej orës 11:00 për të shqyrtuar kërkesën e paraqitur nga qeveria lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila në muajin nëntor 2025 vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut u mor pas kërkesës së SPAK, pasi ajo u mor zyrtarisht e pandehur për dyshime mbi shkelje ligjore në procedurat e tenderimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë ndaj këtij vendimi, duke e konsideruar atë si një tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv.
Pikërisht mbi këtë argument, kreu i qeverisë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar zgjidhjen e konfliktit institucional të krijuar mes Kryeministrisë dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe GJKKO-së, nga ana tjetër, lidhur me të drejtën për pezullimin e një anëtari të kabinetit qeveritar. Seanca dëgjimore ku morën pjesë të gjitha palët u zhvillua më 22 janar.
Ndërkohë, SPAK ka ndërmarrë një tjetër hap procedural, duke i dërguar Kuvendit një kërkesë për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut.
Prokuroria e Posaçme synon të marrë autorizimin e nevojshëm për vendosjen e një mase sigurie më të rëndë ndaj saj.