E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mbledhja e Kuvendeve në Prishtinë, Rama: Dekada e fundit vendimtare për ne

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Prishtinë se Shqipëria është sot një anëtar aktiv dhe i respektuar në bashkësinë ndërkombëtare, duke luajtur po ashtu një rol të rëndësishëm e përcaktues në rajon.

Duke iu drejtuar mbledhjes së përbashkët të dy Kuvendeve Kosovë- Shqipëri, Rama u ndal te transformimi i imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare gjatë 10 viteve të fundit.

“Ne tanimë nuk jemi figurantët e dikurshëm të fotografive familjare të bashkësisë ndërkombëtare, por jemi anëtar aktiv dhe të respektuar të saj me një rol sa të vetëdijshëm për përmasën dhe peshën modeste të vendit tonë në arenën e madhe të politikës europiane, aq edhe të rëndësishëm e përcaktues për rajonin tonë, i cili sot më shumë se asnjëherë tjetër ka një domethënie të posaçme për Europën e nesërme”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh se për Shqipërinë këto kanë qenë 10 vite të një kthese të madhe me sakrifica e mundime të mëdha.

“Teksa një vit po ikën dhe një vit tjetër i ri po vjen, kanë kaluar pak më shumë se 10 vjet qysh se pata nderin e madh t’i adresohem kësaj salle nga kjo foltore si kryeministër i sapozgjedhur i Shqipërisë. 10 vite janë shumë pak në jetën e një kombi, por janë shumë në jetën e një individi, e gjithsesi kjo dekadë ka qenë vendimtare për ne në anën tjetër të bjeshkëve në Shqipëri. 10 vite të një kthese të madhe me sakrifica e mundime të mëdha ku nuk kanë munguar as dhimbjet e fatkeqësitë natyrore që nga përmbytjet deri edhe një tërmet shkatërrimtar e një pandemi globale”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te imazhi që ka krijuar Shqipëria në sytë e ndërkombëtarëve. ndërsa solli në vëmendje se Tirana do të mirëpresë Samitin e NATO-s në vitin 2027 dhe  Samitin e Komunitetit Politik Europian në 16 maj 2025.

“Përpara pak kohësh erdhi në Tiranë misioni i hulumtimit të NATO-s, për të parë nëse kandidatura jonë për Samitin e vitit 2027 plotësonte kushtet me infrastrukturë dhe logjistikë; një eveniment botëror që mbledh në një vend me mijëra njerëz, ku vetëm për Presidentin e Shteteve të Bashkuara mbërrijnë afro 1000 vetë. Përshtypjet e misionit ishin të jashtëzakonshme dhe thjesht të paimagjinueshme, deri pa u ndërtuar gjithë sa është ndërtuar këto dhjetë vite. Dhe sot ne presim me besim që në Samitin e Hagës vitin e ardhshëm, Shqipëria të shpallet zyrtarisht vendi mikpritës i NATO-s në vitin 2027”, tha ai.

Rama theksoi se “2027-ta është edhe viti i objektivit historik, të përcaktuar në planin tonë të përbashkët strategjik me Komisionin Europian, për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE dhe për t’i hapur rrugë procesit dyvjeçar të ratifikimeve në parlamentet e vendeve anëtare, të cilat do të votojnë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si anëtare me të drejta të plota në vitin 2030”.

“Edhe kjo, një ngjitje e paimagjinueshme drejt majës që deri 10 vjet më parë nuk shihej dot as me dylbi, ndërsa Shqipëria ishte një dele gjysmë e zezë e gjysmë gri, të cilën nuk e merrte seriozisht askush, jashtë kufijve të saj. Vitin e ardhshëm, në 16 maj, Samiti i Komunitetit Politik Europian do të mbahet në Tiranë, ku do të mikpresim udhëheqësit e 700 milionë banorëve të hapësirës demokratike të kontinentit tonë, nga Londra në Ankara, nga Kievi në Lisbonë e nga Helsinki në Prishtinë e deri në Baku dhe Yerevan. Kështu Shqipëria, do të jetë përsëri, epiqendra e një momenti të rëndësishëm të jetës politike europiane”, shtoi ai.

1 nga 10

(vijon)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›