E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbledhja e NATO-s për garancitë e sigurisë në Ukrainë, Lavrov: Bisedimet pa Moskën, një rrugë pa krye

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së sigurisë ndaj Ukrainës, pa pjesëmarrjen e Moskës, janë rrugë pa krye.

Reagimi i Lavrov vjen në një moment kur 32 shefat e shtabit të përgjithshëm të vendeve të NATO-s po zhvillojnë takimin për sigurinë e garancisë ndaj Ukrainës, duke i dhënë kështu një parlajmërim Perëndimit mbi qëndrimin e presidentit rus Vladimir Putin.

Po ashtu, Lavrov ka kritikuar edhe rolin e udhëheqësve evropianë në takimin e zhvilluar më 15 gusht në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump dhe atë ukrainas Volodymyr Zelensky në lidhje me garancitë e sigurisë për Ukrainën që mund të ndihmojnë në përfundimin e luftës tre vjeçare e gjysmë.

“Çfarë hapash diplomatikë patë të ndërmarrë Bashkimi Evropian? Përpara se të vlerësojmë hapa të tillë, duhet t’i shohim. Deri më tani, kemi parë vetëm përpjekje agresive për të rritur tensionet, së bashku me përpjekje mjaft të çuditshme dhe, në fakt, joetike për të ushtruar presion mbi administratën Trump dhe presidentin e SHBA-së personalisht për të ndryshuar qëndrimin e tyre, siç e pamë kur evropianët shoqëruan z. Zelensky në Uashington të hënën. Nuk dëgjuam që evropianët të paraqitnin ndonjë ide konstruktive atje”, tha Lavrov.

Përpjekjet e udhëheqësve europianë për avancimin e procesit të bisedimeve Rusi-Ukrainë për përfundimin e luftës, Lavrov i sheh si të pasuksesshme dhe si një tentativë për të shtyrë SHBA-në të ndryshojë qëndrim.

“Sa i përket evropianëve, ata po përpiqen vetëm — edhe pse me gjithnjë e më pak sukses — të sigurohen që Shtetet e Bashkuara të mbeten pjesëmarrëse në proces dhe të paktën të sigurojnë armë në mënyrë që Evropa të mund të vazhdojë të furnizojë regjimin e Kievit me ato armë”, shtoi Lavrov.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›