E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhje ilegale në një celulë të vullnetarëve të Enverit

Në vend të një fejtoni

Sekretari i celulës: - Më falni se në këtë podrum të errët nuk shoh mirë dhe, dreqi ta hajë, i kam harruar edhe ato gjislliqët që i bëjnë shkronjat naa… të mëdha. Ngjajnë pak si bithë kavanozi, por për mbështjelljet tona ishin të mira, për ideal! S’kemi përse të shkojëm në apel e të bëjëm numërim se ne s’mungojëm kurrë, se i kemi këto takime si qinomá. Na ka mësuar shoku Enver, që iu bëftë dita njëmijë!
E ndërpret njëri nga torollakët, (se të gjithë të pranishmit ishin njëri më gdhë se tjetri):
-Nuk thuhet më kjo, shoku sekretar, për të vdekurit!
-Opo ki, ore! I ndrittë shpirti përjetë, do të thosha.
-Po na fut edhe në fé, tanithi? Po ne e çdukëm obskurotantizmin që në vitin 1967! – tha një teknefes, andej nga fundi.
-Ne jemi organizatë pluraliste, - vazhdoi sekretari - e ju po na bëni si në fillimet e komunizmit, kur Anastas Lulo, Sadik Premtja, Llazar Fundo, ai i Zjarrit e ca të tjerë i bënin zullum muhabetet, gjersa Enveri inë, u dha nga një koqe plumbi, me ndihmën vëllazërore të Melodinit dhe të Dashonit dhe puna gjeti karar. Edhe né këtu jemi kashtë e koqe, drejt me thënë: Ca të Vullnetarëve, ca të tjerë të Nexhmijes e të Ramizit, ca të Hisni Milloshit; kemi edhe nja di të Partisë së Punës, édhe nja di të tjerë të Nanos, kurse një tjetër është i Mehmetit. Kemi edhe një të Ramës, ç’është e fërteta. . . Po, amà, s’u kemi marrë lejen atire për këto mbështjellje. Jemi të pavarur. Kemi hall koke, që të mos vijë e djathta në fuqi...Por nuk besojëm që të na bënetë një spiunllëk, për këto celula bodrumesh. Paçka se spiunllëkun,- gjynah mos qoftë, - ne e kemi zanat! Së fundi ne mbështillemi, tanithi, që të ndihmojëm të majtën, se na është bërë gjaku ujë. Na doli edhe ky Nano, tanithi, e na e bëri Edvinin travestit! S’e kuptoj mirë këtë fjalë, por duket se e ka llafin për disa nga ato huqet e rinisë... Se s’na dëgjon njeri, edhe ne s’jemi hevlià. Ai Tosi i Nanos na e rrasi sa krahu me atë qind përqindëshin, që na e llokoçiti si llokum të goja! Por e lahu gjinahun, që t’i japim hakun, me ato ofiqet që na u dhanë pasi morëm fuqinë. E morëm si e morëm, por e morëm, amà... Që të flasim midis nesh, atë ’97-n e bekuar né e bëmë. Dhe kallashët i përdorëm me zanatçillëk në atë kohë të bekuar, kundër atire rrezilave që po na thonë se e morëm pushtetin me dhunë. Se jemi në konspiracion këtu, ne e bëmë atë ’97-n, - më ia marçim të keqen. Dhe ne ‘o ta bëjëm edhe dimijë e nëntën, veç jemi në sëkëlldi, me ato elektrilitiket që na sajuan, pizevengët! I kishim mirë ato listrat e atij Bashkimit të Finos, që ia dinte mirrë batalçilllëqet me listrat... Që thoni ju, tani do të paraqesim rendin e ditës, simbas mësimeve të paharruara të shokut Enver.
Dhe filloi të kërkojë ca letra. Së fundi iu duk se e gjeti fletën e rendit të ditës:
-Ah, po s’kam gjislliqët, më ia dhjefsha gocën atire, që i harrova! Pa shkollë, pa shkollë... por ja që çaçkën e kokës në terezi e kemi: Janë di pika. E para, Liqeni artificial. E dita, si t’ia pshurrim emisionin asaj keçes së RT Shijakut, që ia harrova emrin.
-Ç’â kjo keçe, mre? Çikë thuej, në kjoftë se e ke fjalën për atë Elianën – tha një verior. Ky thuhej se kishte një lidhje krushqie me Miladin Popoviçin, i cili kishte bujtur edhe një natë në kullën e tij. Kjo kishte vajtur në vesh të Enverit, i cili i kishte pas dhënë një apartament të mirë dhe një punë si bahçevan, në Tiranë. Por me rrogë speciale, ama.
-Mirë, le të vijmë tek e para, te Liqeni, - vazhdoi sërish sekretari. - Atire të majtëve me gramë, u shkoi menjëherë në fiqir ta shpallnin fët e fët si atentat të së djathtës. Por nuk i dinë tertipet tona dhe shumë muhameléra iu shkuan huq, për dhjamë qeni! Si ai muhabeti i atij Kostës që e shpallën si atentat. Por pastaj ranë squkë, kur erdhi ai amerikani i këtire zanateve dhe tha: - joooo, është aksident! Nuk lëshohen muhabetet si lopa bajgën, se pastaj s’të besojnë...Kështu vunë zurnà të madhe edhe për atë Sllaviçin  dhe pastaj u mbars mali e polli një mi! Edhe atë të ndjerin e Roskovecit e shpallën si punë atentati. Por hetimet po na e trullosin trurin. Tani, megjithëse ai liqen u bë helaq e u kthye në një kënetë të ndyrë, s’po ndihen më për atë... atentatin në liqen, nga të djathtët! Se ka ca pështyma që të bien në fytyrë. Se si e qysh unë nuk e di mirë, por të bien në kokë, këtë dua të them. Si ajo tulla që, në ndërtim, po s’u hodh mirë në hava te ai pritësi më sipër,  mund të mos kapet e të të bëjë hatanë!
- Më duket se sekretari ka të ndrejtë, - u shpejtua që ta nxjerrë nga vështirësia sekretarin e celulës, një trutharë tjetër (se ajo ishte celulë trushkulurish që kishin bërë prokopi, ndonëse injorantë). Që të bënetë helm e kënetë për faqe të zezë, nuk mjaftojën  disa qipa, por duhen fuçi të shumta me ndyrësira, apo me bojë zmalti siç thojën. Biles për këtë punë ka interes bashkia, se firuan trojet për ndërtime të reja. Këtë ma ka thënë një spiun privat që m’i pëshpëritë gjërat ne vesh, kur s’kam gruan në shtëpi. Ai Edi ka në plan që të vërë njerëz e ta thajën liqenin, gjersa  t’i dalë fundi, ta pastrojën bazën e ta bëjën vend  ndërtimesh!
-Prandaj nuk bëzan aj i patenzonë – thirri veriori.
Ngriti gishtin për të thënë edhe nanoisti një fjalë.
-Ai Fatosi ynë, më ia lumsha,– a e dëgjuat sesi e quajti atë Ramë thonjpaprerin, si kryetar të biznesmenëve të ndërtimit? Vetë u shemb në apartamente nga këto afera me liçencat që ua jep ndërtuesve të bashkisë dhe për mua, që jam nga kryesorët në kryesinë e Komitetit të Shpëtimit Publik, më la vetëm me këtë apartamentin 4+1 që mora në Tiranë. Dhe u thartua kur desha edhe një vilë në plazh!
-Kemi edhe pikën numër di! – bërtiti njëri ndër ata që ishin afër sekretarit.
-Hë, mo, se jemi afër zgjedhjeve dhe ai stacioni i TV Shijakut po bën një përshtipje me ato anketat që po kërrén se kush do të fitojë: e djathta apo e majta. E majta nuk arrin të fitojë më shumë se 15% - 20 % në javë. A nuk bëjëm një hyxhym, e të vemi shtëpi më shtëpi e t’u themi njerëzve tanë që ta bombardojmë TV Shijakun e ta bëjëm  përqindjen anapolla, domethënë me 15 % - 20 % për të djathtën? Tanët kanë më shumë telefona se ata të djathtët morracakë dhe e bëjëm atë vajzën që të mos marrë firomë.
-E kujtoni ju se dëgjuesit nuk do ta kuptojnë që pas të gjitha listave me të njëjtin përfundim, na u ndryshoka situata pa pritë e pa kujtuar? – foli njëri, pa leje.
Ndërkaq sekretarit i ra zilja e celularit. Të pranishmit e panë që u zverdh i tëri. Një shok e lajmëronte se i biri u arrestua, i kapur me drogë!
Ata që ishin afër e dëgjuan të flasë, i zemëruar, si me vete: - Po ki prosopullë nuk u ngop akoma? Nga bithëgrisur u bëmë me prona. Ç’i duhet atij, ai kërcu përmbi samar?
Kuptohet se mbledhja e celulës mori fund me kaq.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›