Mblidhen ministrat e Eurozonës, pritet mbështetje financiare për Spanjën

Ministrat e financave të Eurozonës pritet të aprovojnë, gjatë ditës, kushtet për një pako ndihmëse prej 100 miliardë eurosh për Spanjën.
Presidenti i panelit të shefave të financave në Eurozonë, Xhon Klod Junker, ka caktuar një telekonferencë që ka nisur këtë mëngjes.
Ministrat pritet të sjellin qartësi mbi kërkesën për ndihmë të Madridit-një ditë pasi Bundestagu gjerman votoi në favor të dhënies së ndihmës financiare.
Parlamenti finlandez mbështeti gjithashtu planin e shpëtimit për Spanjën me 109 vota pro dhe 73 kundër.
Finlanda pritet të kontribuojë me 1.9 miliardë euro në pakon ndihmëse për Madridin.
Spanja, anëtari i katërt i Eurozonës që po merr një pako ndihmëse financiare pas Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë, pritet ta marrë pjesën e parë të kësaj ndihme prej 30 miliardë eurosh në fund të muajit.