E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seancë për Ramush Haradinajn

Nga Express më 30 maj 2011 në ora 14:20

Kuvendi i Kosovës do të debatojë nesër në seancë të jashtëzakonshme për rastin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet në Hagë tash e sa kohë, me ç’rast deputetët do t’i drejtohen Tribunalit të Hagës me një apel për përshpejtimin e procesit gjyqësor ndaj Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

Kryesia e Kuvendit në mbledhje e mbajtur të hënën ka miratuar kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për liderin e AAK-së.

“Nesër e kemi një seancë, do të thotë kemi një debat të kërkuar nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ka të bëjë me procesin që është duke u zhvilluar në Tribunalin e Hagës për Ramush Haradinajn dhe bashkëpunëtorët e tij. Do të thotë seanca është nesër në orën 11.00”, ka thënë kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Krasniqi nuk e ka bërë të qartë se cili do të jetë përfundimi i debatit në këtë seancë, por ka shprehur bindjen se në fund të ketë ndonjë rekomandim.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini theksoi se ky debat do të jetë një apel për drejtësinë ndërkombëtare, që të jetë e drejtë edhe në aspektin kohor, jo vetëm në aspektin e shpalljes së pafajësisë për Haradinajn.

“Fakti që ne besojmë, që populli i Kosovës beson se zoti Haradinaj është i pafajshëm, herën e parë është dëshmuar në Tribunal, do të thotë është shpallur i pafajshëm, ne ende besojmë se është i pafajshëm, por ne do të jemi të kujdesshëm ndaj drejtësisë ndërkombëtare që mos të paragjykojmë ashtu, por të paktën të themi se shumë njerëz edhe në botë besojnë se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Pra kjo është ajo për të cilën ne provojmë të flasim nesër dhe të kërkojmë që të paktën drejtësia ndërkombëtare të jetë e drejtë edhe në aspektin kohor, jo vetëm në aspektin e shpalljes së pafajësisë”, ka thënë Gjini.

Edhe grupet tjera parlamentare e kanë mbështetur një nismë të tillë të AAK-së dhe Ardian Gjini pret që kjo seancë të jetë një solemnitet në mbështetje të Haradinajt.

“Me siguri se seanca e nesërme do të jetë edhe një solemnitet me të cilin Kosova do të tregojë se e mbështet njërin nga liderët e vetë më të mëdhenj”, është shprehur Gjini.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, beson se ky apel i Kuvendit të Kosovës do të kuptohet në mënyrën më të mirë të mundshme nga drejtësia ndërkombëtare, përderisa ka thënë se Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për Haradinajn.

I pyetur nëse do të kërkohet debat edhe për rastin e Fatmir Limaj, i cili është shpallur i pafajshëm në Hagë, por procesi është hapur sërish në Kosovë nga EULEX-i, Gjini ka thënë se në seancën e nesërme, nuk do të ketë përfshihet edhe një gjë e tillë, mirëpo nuk ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të hapen tema edhe për kontekste të tilla. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›