E Martë, 3 Nëntor 2026

Mblidhet Asambleja e PS, Rama: Ekonomia dhe turizmi kolonat e zhvillimit, objektivi 20 mln turistë deri në 2030

Socialistët kanë mbledhur në Durrës Asamblenë Kombëtare, në të cilën merr pjesë edhe kryeministri, Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i PS-së. Ekonomia, turizmi kanë qenë në fokus të fjalës së kreut të qeverisë, dy kolona në të cilat shumica qeverisëse është përqëndruar edhe në projektbuxhetin për vitin 2024.

Rama deklaroi se në prag të mbajtjes së Kongresit të PS-së, në fillim të muajit dhjetor, socialistët duhet të përballen me sfidat e një panorame të përgjithshme të situatës ekonomike dhe politike.

Turizmi

Rama, gjatë fjalës së tij, nënvizoi rritjen e shifrave të turizmit, ndërsa u shpreh se deri në vitin 2030 Shqipëria synon të arrijë shifrën e 20 milionë turistëve në vit.

Sipas tij, buxheti për vitin e ardhshëm ka 400 milionë euro të dedikuara për rritjen e pagave në sektorin publik, ku, sipas tij, në mes të vitit 2024 rroga mesatare do të jetë 900 euro.

“Mendova që ja vlente në këtë fazë, në prag të kongresit të PS, për të bërë edhe një panoramë të situatës së përgjithshme ekonomike dhe politike, në funksion të sfidave tona. Nisemi nga arritjet, por duke parë te këto arritje edhe potencialin e jashtëzakonshëm që ka Shqipëria në fushën e turizmit, potenncial të cilin ne si PS e kemi për detyrë që ta çlirojmë sa më shumë”, theksoi Rama.

Sipas tij, Shqipëria ka arritur një shifër që dukej e paimagjinueshme pak vite më parë madje konstatohet se edhe gjatë muajit tetor, ka një kapërcim befasues të numrit të turistëve që kanë hyrë në vend, “nga 365 mijë në tetorin vjet, në 611 mijë këtë vit”.

“Kemi nevojë në rritje për infrastrukturë mikpritjeje, por edhe nevojë për rritje të cilësisë së shërbimit. Jam i bindur që, nëse do jemi ambiciozë dhe do bëjmë gjërat e duhur, ne padiskutim mund t’i afrohemi shifrës së 20 mln turistëve deri në vitin 2030.”, tha Rama. 

Energjia

Kryeministri theksoi në fjalën e tij se pavarësisht nevojës së shtuar nuk ka pasur asnjë rritje të çmimit të energjisë elektrike në Shqipëri, por ka pasur rritje në blerje nga importi.

“Nuk ka patur rritje për qytetarët, sepse diferencën mes çmimeve qeveria e ka mbuluar në mënyrë që fatura për çdo familje të mos ndryshojë. Po ashtu ne sot që përgatisim miratimin e buxhetit të vitit tjetër, shikojmë një tjetër shifër domethënëse.”, tha ai.

Pagat

Rama bëri të ditur se qeveria e PS e mori buxhetin e shtetit në shifrat 3 mld euro, ndërsa sot ka arritur në shifrat 7 mld euro.

“Një buxhet 7 mld euro, i rritur në këtë periudhë me këto vështirësi të shkaktuara nga forca jashtë nesh, është një tjetër arsye për të parë se është hapur një portë e re për Shqipërinë. Paga mesatare në mes të vitit tjetër në Shqipëri do shkojë në 900 euro”, deklaroi Rama. 

Rama: Për çfarë paguan taksa sistemi shqiptar?

Rama, në Asamblenë e PS-së, foli edhe për protestën e studentëve të mjekësisë për diplomat. Ai theksoi se kostoja e studimeve në mjekësi është 1/16 e kostos reale dhe nuk ka krahasim me koston e studimeve në Gjermani.

Rama mori si shembull edhe studimet për Magjistraturën duke nënvizuar se “ato janë të detyruar që të punojnë në vend për 5 vite”.

“Kostoja e studimeve të mjekësisë në Shqipëri është 1/16 e kostos reale dhe nuk ka asnjë krahasim me koston e studimeve në Gjermani. Një nga arsyet se pse sot në Gjermani ka një problem me mjekët është kostoja shumë e lartë e studimeve. Atëherë për çfarë arsyeje të gjithë ju, që doni ti bëni studimet me kosto thuajse zero, të merrni diplomën për faktin se kostoja reale mbulohet nga taksat e të gjithëve dhe ju doni të ikni në Gjermani direkt? Për çfarë paguan taksa sistemi shqiptar? Për popullin gjerman? Ne kemi një sistem në Shkollën e Magjistraturës, që është e qartë se kush mbaron shkollën është i detyruar të punojë këtu. Si është e mundur që të pranojmë ne këtu? Nëse do të ikë në Gjermani duhet të paguajë tarifën, që nuk është e plota, por një tarifë tjetër. Merr diplomën më pas shko në Gjermani. Por nëse do të marrësh diplomën me tarifën që të paguajnë taksapaguesit shqiptar, ke një detyrimin që një periudhë kohe deri në 5 vite tua kthesh këtu investimin që kanë bërë te ti. Evropa është turrur për ’mish njeriu’ dhe konkurrenca më e madhe do të jetë kush të kapi krahun e punës. Në një sektor të tillë nuk mund të rrimë të shikojmë si kalojnë vitet në universitet studentët dhe më pas ikin.”, tha Rama.

Siguria

Rama deklaroi gjithashtu se, Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të vjedhjes së shtëpive në Evropë.

Në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama u shpreh se “mbaj mend fushatën e 2013-ës, kudo, në çdo vend njerëzit thoshin ‘aman vetëm na hiqni krimin, kriminelët, se na mbytën’. Të të gjitha niveleve. Që nga ata me kthetra të gjata, deri tek hajdutët e pulave”.

“Nuk e them unë këtë, nuk e themi ne, Shqipëria, është vendi me numrin më të ulët të vjedhjes së shtëpive në Evropë, në të gjithë Evropën”, tha Rama.

“Nga ana tjetër, – shtoi kryeministri, – këtë vit kemi një rënie drastike të numrit të vrasjeve, që çdo vit kanë qenë më pak, por krahasuar këtë vit me vitin e kaluar, janë më shumë se gjysma.”

Rama u shpreh se siguria vlerësohet shumë edhe nga turistët që vizitojnë vendin tonë.

“Gjëja që e dëgjon nga të gjithë ata që vijnë turistë në Shqipëri është siguria. Siguria që do bëhet një mall gjithmonë e më i shtrenjtë në Europë. Ku sot të vjen të habitesh, por është shumë e thjeshtë dhe ndodh shumë shpesh që vijnë të huajt këtu dhe thonë, vjen natën dhe nuk ke asnjë ndjesi pasigurie. Dilni njëherë natën, ku të duash”, tha Rama.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për ne, por sigurisht që ka edhe më mirë, ka edhe më shumë”, theksoi kryeministri Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›