E Martë, 3 Nëntor 2026

Gjikondi: Sfida ndaj familjes Berisha, është nisur nga SHBA

Juristja Brisida Gjikondi ka deklaruar në studion e emisionit “3D” në RTSH 1 se sfida ndaj familjes Berisha ka nisur direkt nga SHBA.

Sipas saj, ajo që po ndodh aktualisht me Berishën ndaj të cilit është vendosur masa e detyrimit të paraqitjes nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka nisur që me tekstin e “nongratës” të Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Sfida e familjes Berisha ka qenë një sfidë e nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të mos harrojmë, edhe në tekstin e nongratës ndaj Berishës, ata gjithë kohës e akuzojnë si abuzues me pushtetin politik për të mira materiale të familjes së tij.

Është tekstualisht në tekstin e shkruar para dy vitesh kjo që po procedohet tani penalisht, DASH kishte dy vjet që e kishte cituar dhe ndoshta priste që drejtësia shqiptare të vërtetonte atë që ky Departament kishte thënë për familjen e Berishës dhe abuzimet që kishte bërë ai me pushtetin në të mirë të pasurimit të familjes së tij”, u shpreh Gjikondi.

Gjikondi vuri në dukje se me ardhjen e Dumanit në krye të SPAK-ut ka ndryshuar edhe vizioni i këtij institucioni në hetimin e zyrtarëve të lartë që dyshohen për afera korruptive.

“Prandaj po them që Amerika është në një linjë koherente të saj. SPAK-u katërvjeçarin e parë nuk ka pasur asnjë note për ta vlerësuar për investimin që ishte bërë. Me ardhjen e Dumanit, i ka dhënë vizionin e tij atij institucioni”, theksoi Gjikondi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›